Qeveria do të vijojë me praktikën e dhënies së bonuseve për pensionistët. Kështu deklaroi të mërkurën kryeministri Edi Rama gjatë një konference ndërkombëtare për reformën në sistemin e pensioneve, ku ai u shpreh se do të ketë edhe ndërhyrje në skemë, por pa prekur themelet e saj.
“Nga një bonus në fundvit, kemi kaluar në dy dhe i kemi lidhur me rritjen ekonomike. Duam që këto bonuse të vazhdojnë”, tha Rama.
Qeveria ka dhënë çdo fund viti nga 3,000-5,000 lekë bonus për pensionistët, por përballë protestave të pensionistëve për pensione dinjitoze, qeveria e trefishoi dhe premtoi një bonus tjetër në pranverë, gjë që u konsiderua si “shpërblim elektoral” duke pasur parasysh që zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen më 11 maj.
Por mbështetja e skemës së pensioneve kryesisht te bonuset, pa indeksime të mirëfillta sipas inflacionit shihet me kritika nga ekspertët, të cilët e konsiderojnë një model të paqëndrueshëm në plan afatgjatë.
Eksperti i ekonomisë, Eduart Gjokutaj, tha për Citizens se modeli aktual, ku pensionet mbështeten nga kontribuuesit aktivë, ka dobësi të theksuara, për shkak të emigracionit, plakjes së popullsisë, rënies së lindshmërisë dhe kontributeve të ulëta fiskale.
