Lulzim Basha dha dorëheqjen pasi shumica e grupit parlamentar i dolën kundër, por që prej momentit kur artikuloi largimin nga drejtimi i PD-së, kanë lindur dyshime të shumta se dorëheqja e tij është një lojë dhe se duke përdorur besnikët e tij brenda partisë, ai po përgatit rikthimin pas zgjedhjeve lokale të vitit 2023.

Sipas Andi Bushatit, nuk bëhet fjalë për një lojë sepse kjo do të ishte absurde dhe në çdo rast do të ishte një lojë e humbur për Bashën.

“Më duket e çuditshme dhe e pamundur. Të japësh dorëheqjen për t’u rikthyer në të njëjtën formë është absurde. Ai e dha dorëheqjen sepse e katandisi PD-në nën 10% dhe e ktheu forcë të tretë. A mundet me të njejtën filozofi të arrihen rezultate ndryshe? As më budallenjtë nuk e besojnë këtë. Nëse do të rikthehej, do të duheh të dorëhiqej sërish.

Basha ka treguar se nuk ka qenë i aftë ta frymëzojë, motivojë dhe luftarakëzojë opozitën. Shqipëria ka nevojë për opozita luftarake. Është absurd të mendosh, ato zërat që thonë se kjo e Bashës është një lojë dhe se Basha po përdor veglat e tij për të kontrolluar partinë si i dorëhequr.

Por çfarë po ndodh?

Një pjesë e njerëzve që i kanë ngelur besnikë Bashës, mendojnë se mundet të drejtojnë PD-në, me të njejtat mënyra si e drejtoi Basha. Duke u sjellë si lolo ambasadash, duke mbajtur atë non-grata edhe duke mbajtur PD-në të përçarë.

Fakti që këta njerëz po sillen si Luli, me Lulin të ikur, i bën njerëzit të ngrenë dyshime mos është lojë e Bashës. Jo në fakt nuk është lojë e Bashës, sepse edhe nëse i hyn kësaj loje, e ka lojë të humbur”, tha Bushati.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re