Lulzim Basha është i bindur se Partia Demokratike nuk po shkon drejt ndarjes dhe se 18 Dhjetori është dita e bashkimit të demokratëve. Në një intervistë, kryedemokrati akuzon Berishën se po përdor demokratët për hallet e tij personale.

“Nuk ka palë në PD, ka një PD, ka një Kuvend më 18 Dhjetor, sipas vendimit të Kryesisë së PD. Ka një individ, i cili po përpiqet ta përdorë PD si mburojë ndaj halleve dhe problemeve personale që ka pas shpalljes së tij non grata nga SHBA. Për këtë arsye, Kuvendi i 18 Dhjetorit, do të jetë një Kuvend bashkimi i të gjithë demokratëve”.

Nuk i druhet aspak një vendimi për shkarkimin e tij, teksa e cilëson antistatutor thirrjen nga Berisha në 11 Dhjetor të Kuvendit Kombëtar të demokratëve.

“Askush, as Sali Berisha nuk i mbivendoset dot asnjë anëtari tjetër dhe nuk i mbivendoset dot rregullave që na mbajnë bashkë në këtë shtëpi të lirisë, që është statuti dhe vlerat e kësaj partie”.

Por a është i mundshëm një bashkim mes Berishës e Bashës?

“Për fat të keq Sali Berisha ka hedhur në erë çdo urë të mundshme të afrimit me demokratët”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re