Deklaratat e fundit të kancelarit gjerman Friedrich Merz kanë nxitur shpresat se Gjermania, pas një hezitimi të gjatë, më në fund do t’i dërgojë Ukrainës raketa të fuqishme Taurus – armë që mund të ndryshojnë ndjeshëm rrjedhën e konfliktit me Rusinë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky foli së fundmi me kancelarin Merz në Berlin, vetëm disa ditë pasi Merz njoftoi se aleatët perëndimorë kishin hequr kufizimet në rrezen e raketave që Ukraina mund të përdorë. Kjo do të thotë që Kievi tani mund të nisë sulme më thellë në territorin rus, duke rritur më tej rëndësinë e Taurus-it.
Megjithatë, megjithëse Merz ka premtuar të ndihmojë Ukrainën të zhvillojë raketa me rreze të gjatë në territorin e saj, ende nuk është e qartë nëse Gjermania do t’i dërgojë vetë raketat Taurus. Raketa me rreze të gjatë veprimi, e zhvilluar në një prodhim të përbashkët gjermano-suedez, mund të godasë me saktësi objektiva deri në 500 kilometra larg – nga bunkerët nëntokësorë deri te depot e municioneve.
Arma që Ukraina po pret
Për Ukrainën, e cila tashmë përdor armë perëndimore si raketat amerikane dhe raketat britanike Storm Shadoë, Taurus përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara në aftësi sepse ka një rreze veprimi më të gjatë veprimi dhe një kokë luftarake më të fuqishme. Kjo është arsyeja pse Kievi ka këmbëngulur prej kohësh për ta marrë atë.
Megjithatë, Gjermania ka qenë e kujdesshme deri më tani. Ish-kancelari Olaf Scholz nuk donte ta dërgonte Taurus-in nga frika se kjo mund ta fuste Gjermaninë dhe NATO-n drejtpërdrejt në konflikt me Rusinë, e cila ka paralajmëruar vazhdimisht se çdo sulm thellë brenda territorit të saj do të konsiderohej një akt lufte.
Me ardhjen e Merz, i cili kryeson Unionin konservator Kristian Demokrat, qëndrimi i Berlinit po ndryshon. Merz më parë e kishte mbështetur fuqimisht Ukrainën dhe kishte kërkuar ndihmë më të fortë perëndimore, përfshirë dërgimin e raketave me rreze të gjatë veprimi. Megjithatë, qeveria e tij është një koalicion, kështu që nevojitet edhe mbështetja e Social Demokratëve, gjë që ngadalëson lëvizjet vendimtare.
Edhe pse Merz nuk e konfirmoi drejtpërdrejt aktivizimin e Taurus-it në frontin ukrainas, deklarata e tij se nuk ka më një kufi rrezeje veprimi për armët e dërguara në Ukrainë ka ngjallur shumë spekulime. Analistët besojnë se edhe nëse Gjermania dërgon Taurus-in, kjo do të ishte më shumë mbështetje simbolike sesa një ndryshim strategjik, pasi Rusia tashmë ka zhvilluar metoda për mbrojtjen dhe kamuflazhin e objektivave të saj gjatë luftës.
Rusia ka reaguar ashpër ndaj njoftimeve për dërgimin e mundshëm të Taurus-it te ukrainasit. Zëdhënësja Maria Zakharova paralajmëroi se një veprim i tillë do të thoshte përfshirje e drejtpërdrejtë e Gjermanisë në luftë, ndërsa Kremlini e konsideroi atë një përshkallëzim jashtëzakonisht të rrezikshëm të konfliktit.
Çfarë janë raketat Taurus?
Raketat Taurus janë raketa gjermano-suedeze me fluturim të ulët dhe me rreze të gjatë veprimi, të afta për të dërguar me saktësi eksplozivë të rëndë në objektiva deri në 500 kilometra larg. Kjo raketë e fuqishme u zhvillua në vitin 1998 në një partneritet midis kompanisë gjermane MBDA Deutschland dhe prodhuesit suedez Saab Bofors Dynamics.
Koka e saj e fuqishme luftarake i lejon asaj të depërtojë në pengesa të forta, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në objekte të varrosura thellë, siç janë bunkerët nëntokësorë, qendrat e komunikimit, depot e municioneve dhe anijet. Një avantazh i veçantë i Taurus-it është aftësia e saj për të fluturuar në distanca të gjata edhe pa navigim GPS.
Edhe pse Ukraina tashmë përdor raketa nga aleatët e saj perëndimorë, SHBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar, ekspertët dhe zyrtarët ukrainas besojnë se Taurus mund të bëhet raketa më e fuqishme perëndimore në arsenalin e tyre, pasi ka dyfishin e rrezes dhe kapacitetit të municioneve të sistemeve të tjera aktualisht të disponueshme. E tëra që mungon është drita jeshile nga Berlini. /tesheshi.com/