Moderatorja e njohur Ori Nebiaj ka qenë e ftuar në emisionin “Fol me Mua”, moderuar nga Rovena Dilo në ekranin e Fax News. Nebiaj e cila së fundmi u përfshi edhe në politikë ku kandidoi për të fituar mandatin e deputetes në Tiranë, ka folur mbi karrierën e saj televizive dhe së fundmi lidhur me eksperiencën e saj më të re në politikë.

Nebiaj theksoi se gjatë takimeve të bëra me njerëzit në kuadër të fushatës së 25 prillit, vinte re se ata kërkonin figura të reja në politikë.

E pyetur nëse i druhej një “baltosje” të imazhit të saj në politikë, moderatorja e njohur u shpreh se kishte bindjen se do t’ja dilte me dinjitet në një terren të vështirë ku ndaj figurës së gjithkujt mund të hidheshin akuza.

Pjesë nga biseda gjatë emisionit:

Rovena Dilo: Edhe në ndërmarrjen tënde, sa i përket pjesëmarrjes në politikë, ti ja dole mirë!

Ori Nebiaj: Ja dola mirë për shumë arsye. Për shkak të konsumimit dhe makutërisë së shumë personave të cilët kanë pasur fatin tonë në duart e tyre. Kur them e shumëkujt, e kam fjalën për të gjithë. Këtë gjë e përjetoja edhe kur takoja qytetarët gjatë fushatës. Ishin të lumtur që më në fund ishte një njeri i ri.

Rovena Dilo: A nuk ke frikë se nëse do të hysh në politikë, do bëhesh “pis”?

Ori Nebiaj: Politika të bën pis kudo, por jo vetëm ,edhe media të bën pis, edhe biznesi të bën pis. Në Shqipëri ne tashmë jemi si një fshat i madh ku çdo gjë interpretohet. Kam bindjen se si shumë gra dhe burra kanë dalë me dinjitet ashtu do bëj edhe unë. Të kesh luksin për të dalë nga politika do të thotë se ja ke dalë.

Rovena Dilo: Po përse nuk janë shqiptarët “luksozë”?

Ori Nebiaj: Politikanët tanë janë shumë luksozë, shqiptarët jo!

Rovena Dilo: Përse politikanët tanë e kanë kaq të vështirë të tërhiqen?

Ori Nebiaj: E para varet sa të rëndësishëm e ke pasur fytyrën dhe dinjitetit që në fillim. Nëse nuk e ke pasur që në fillim, është thjesht një kartë më shumë për ta shitur apo për ta blerë. Unë mendoj se njerëzit nuk bëhen “burra” rrugës, është një aspekt që ose e ke ose nuk e ke. Në politikë ose je njeri i mirë ose i keq, nuk ka “u bëra rrugës”.

(B.V/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re