Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, duket se ka hapur më në fund ‘letrat’ për disa prej aferave që lidhen me sistemin e shëndetësisë.

Mësohet se SPAK ka marrë në pyetje Saimir Kadiun, për koncensionin e shumë diskutuar të sterilizimit. Pas tre vitesh hetime, SPAK ka marrë në pyetje Kadiun, si anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për këtë koncesion që ka vlerën e 100 milionë dollarëve.

Hetimet janë drejt fundit dhe pritet që në ditët në vazhdim SPAK të komunikojë përfundimin e tyre dhe personat që do të merren si të pandehur. Në listën e zyrtarëve që do të pyeten për koncesionin e sterilizimit është dhe Arben Gjata, rektor i Universitetit të Mjekësisë.

Dosja në fjalë ishte dhe rasti i parë që u dërgua zyrtarisht në Prokurorinë Speciale, menjëherë pas krijimit të saj, nga Nisma Thurje.

Më parë është marrë në pyetje dhe mjeku orolog Artan Koni, si person që ka dijeni për këtë çështje. Ai është pjesë e grupit që dorëzoi padinë në SPAK dhe dy vite më parë, në 2020, ka thënë se kishte ndihmuar prokurorët me detaje sesi bëhej llogaritja në fushën e mjekësisë.

Përfaqësuesit e kësaj organizate që më vonë u kthye në parti politike, shprehnin disa dyshime; së pari, pse ky shërbim iu dha një privati, kur prej shumë vitesh e bënin vet spitalet; së dyti, se kostot ishin shumë të larta – çmimi i sterilizimit për një set kirurgjikal ishte 2.4 euro nga spitalet publike, ndërsa koncensionari merrte sipas kontratës mesatarisht 190 euro, për të njëjtën gjë.

Tjetër dyshim i shprehur në kallëzim është afati për 10 vjet i koncensionit, që i tejkalon mandatet e disa qeverive. Nisma “Thurje” dyshoi për korrupsion, sepse në mënyrë të pazakontë sterilizimi mund të jepej me një tender të hapur publik si edhe shumë tendera të tjerë, dhe jo me një koncension të shtrenjtë.

Ministria e Shëndetësisë lidhi më 10 dhjetor 2015 një kontratë koncesionare për 100 milionë dollarë me kompaninë “Sani Service” L51910021C “Për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”.

Konkurrentë të tjerë në garë kundërshtuan procesin, duke u shprehur se oferta e konsorciumit fitues kishte qenë përtej fondit limit.

Drejtuesi i kompanisë fituese të themeluar në Prishtinë është Ilir Rrapaj, i cili ka drejtuar një firmë të vogël ndërtimesh në Umbria të Italisë. Ai është pjesë e konsorciumit, që përfshin “Investal LLC”, “Servizi Italia”, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”. “Investal LLC”.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re