Skip to content

A i trembet mësymjes së njerëzve të Berishës në zyrat e PD? Basha: I përgatitur për çdo situatë, por uroj të prevalojë gjakftohtësia

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se më 11 dhjetor do të ketë një foltore të thirrur në Tiranë dhe se Kuvendi i PD-së do të jetë ai në datën 18 dhjetor.

“Një foltore e thirrur në Tiranë, ku do të vijnë, ku janë ftuar ata që kanë marrë pjesë në foltoret e rretheve. Kuvendi i Partisë Demokratike, është më datë 18 dhjetor.

Kuvendi i Partisë Demokratike thirret sipas rregullave, përfaqësimi përcaktohet nga rregullat, me qëllim që Kuvendi të jetë ai që duan demokratët atje. Të jetë përfaqësuesi i vullnetit të tyre.

Ndërkohë në një mbledhje të tillë mund të thirrej njerëz dhe mund të vijnë njerëz të ndryshëm. Mund të vijnë demokratë për të cilën më vjen keq që gjatë kësaj periudhe është manipuluar me ndjeshmëritë e tyre, me hidhërimin dhe me dëshpërimin e tyre për masakrën zgjedhore të 25 prillit, dëshpërimi që ka kapluar gjithë Shqipërinë pas 25 prillit, stanjacionit politikë, ekonomikë, krizës sociale, por edhe psikologjike që vërejmë kudo edhe tek mbështetësit e Partisë Socialiste.

Sepse 25 prilli ka krijuar një anomali, ka thelluar të keqen që në fakt do të largohej me votë më 25 prill, nëse nuk do të ndodhte masakra zgjedhore.

Dhe padiskutim që ekziston kjo ndjeshmëri.

Por përveç kësaj ndjeshmërie, për fat të keq ka një keqpërdorim nga zoti Berisha dhe nga një grup funksionarësh rreth tij, të cilët e kanë këtë betejë për interesin e tyre personal.

Zoti Berisha e ka këtë për interesin e tij personal.

Dhe padiskutim nga kjo pikëpamje, si kryetar i Partisë Demokratike, jam i vendosur që Kuvendin e Partisë Demokratike në 18 dhjetor ta shndërrojmë në një forum vendimmarrës përfaqësues të demokratëve.

Dhe nga ana tjetër t’i japim zë dhe mundësinë për një dialog dhe debat civil çokujt që ka një mendim ndryshe apo që kërkon të kontribuoj në betejën tonë, me kundërshtarin tonë të vetëm, që është regjimi i Edi Ramës”, tha Basha në një intervistë për “News 24”

I pyetur se a do t’i trembej një skenari të mundshëm të ardhjes në zyrat e Partisë Demokratike të mbështetësve të foltores, një dite pas Kuvendit të 11 dhjetorit, Basha u përgjigj:

“Partia Demokratike dhe unë jemi të përgatitur për çdo situatë. Ajo që dua të them është kjo, ka një palë që investon fuqishëm për të përçarë Partinë Demokratike dhe kjo palë është rrëgjimi, është Edi Rama, me forma dhe mënyra të ndryshme, shumë prej tyre janë denoncuar në mendja nga demokratë të thjeshtë përmes presioneve që u janë bërë pikërisht nga ata zyrtarë të Partisë Socialiste apo faktorë të krimit të organizuar që deri me 25 prill Partia Demokratike dhe demokratët i kam pasur përballë dhe tani pa pritur i shohim tek ndihmojnë aktivitetet e zotit Berisha, por një gjë është e sigurt, as vullneti i demokratëve as arsyeja se pse kjo parti është themeluar, ekziston, qëndron dhe do të qëndrojë që është ti shërbejë shqiptarëve, demokracisë, zhvillimit të Shqipërisë nuk do të tronditen apo do të lëkunden për shkak të nevojave, halleve problemeve personale të një njeriu të vetëm çfarë do qofshin mjetet që ky person zgjedh të hedhë kundër Partisë Demokratike”

Më tej ai shtoi: “Uroj që të prevalojë sado pak gjakftohtësia, uroj të kuptoj që është kthyer në një tubë oksigjeni për këtë regjim, uroj ta kuptojë që është kthyer në një barrë të pamerituar për demokratët dhe Partinë Demokratike teksa ne kemi mobilizuar të gjitha energjitë tona në përballjen me regjimin me një agjendë të qartë politike, por në çdo rast siç ju thashë Partia Demokratike dhe unë jemi të përgatitur për çdo situatë”.