Durim Bami është paraqitur të premten në Policinë e Krujës, pas atentatit të dështuar ndaj tij që u krye javën e kaluar, edhe pse mohon të ketë qenë ai objektiv.

Mësohet se Bami ka thanë në Polici së nuk i ka njohur atentatorët, që kanë qëlluar në drejtim të mjetit ku ai udhëtonte së bashku me kushëririn e tij Ervin Kodra, i cili mbeti i plagosur dhe u dërgua për trajtim në spitalin e Traumës në Tiranë.

Bami është shprehur se nuk ka konflikte me askënd, dhe ka mohuar që ai të ketë qenë shënjestër e atentatit, edhe pse dyshimet e Policisë thonë të kundërtën.

“Nuk i kam dalluar dot personat që qëlluan, nuk kam konflikte me askënd. U largova nga vendngjarja dhe qëndrova i fshehur pasi i druhesha ndonjë sulmi tjetër të mundshëm”, mësohet të jetë shprehur Bami para policisë së Krujës, ndërsa fillimisht u tha se ai kishte bërë rezistencë, duke mos pranuar që të paraqitej përpara hetuesve.

Derimë tani Policia nuk ka asnjë të dyshuar për ngjarjen e ndodhur, ndërsa dyshohet se shkak i ngjarjes janë konfliktet e mëparshme të Durim Bamit, i cilësuar si “i forti” i Niklës.

Makina që u përdor nga ana e autorëve u gjet e djegur një ditë më pas në Valias të Tiranës, ndërsa dyshohet se brenda saj është gjetur dhe arma që kanë përdorur autorët, dhe kanë qëlluar në drejtim të makinës me të cilën udhëtonte Bami.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re