Deputeti i PS-së Adnor Shameti ka qenë sot i ftuar në studion e lajmeve të Fax News, ku ka folur lidhur me zhvillimet në Këshillin Politik, për ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe përfundimin e plotë të ndërhyrjeve në të.

“Është fakt pozitiv që është mbledhur Këshilli Politik, qëllimi ynë si mazhorancë është një orë e më parë të ketë një dakordësi në Këshillin Politik për variantin përfundimtar për teknaliketet që kanë mbetur pa u azhurnuar në lidhje me kodin zgjedhor. I nxis pjesëmarrësit që të kemi një produkt përfundimtar që të kalojë në Kuvendin e Shqipërisë dhe ti hapet rruga një procesi zgjedhor normal për shqiptarët.

Partia Socialiste ka paraqitur një draft të sajin, kemi ftuar edhe përfaqësues të opozitës jashtë parlamentare që të japin variantin e tyre apo korrigjime për draftin e PS, jam besimplotë që palët do të tregojnë përgjegjshmërinë për të arritur produkt sa më të mirë, në të kundërt të jeni të sigurt që ne nuk e lemë Shqipërinë pa e kompletuar legjislacionin zgjedhor si dhe 7 ligjet organike që kanë lidhje me të” ka thënë deputeti i PS.

Ndërsa në lidhje me pretendimet e opozitës se me variantin e PS listat në të vërtetë mbeten të mbyllura dhe vullnet i kryetarit, Shameti ka thënë: “Ndryshimet në bllok përmes miratimit të paketës së 5 qershorit si dhe miratimi i ndryshimeve kushtetuese në datën 30 korrik nuk lënë më asnjë dyshim se listat do të jenë të hapura, është një arritje historike për votuesit shqiptarë”.

I pyetur nga gazetarja e Fax News nëse pragu 3 përqind i vendosur në këtë draft i dëmton partitë e vogla deputeti ka thënë se ky është një propozim i vetë 28 deputetëve të opozitës parlamentare.

“Ky propozim origjinal nuk është i PS nëse kthehemi mbrapsht tek gjuha që ka pasur propozimi i 28 dep të opozitës parlamentare për ndryshimet kushtetuese ky 3 përqindsh është ai që parashikohej në atë propozim. Në diskutimin që është bërë në Komisionin e ligjeve në analizën që është bërë është diskutuar që sa kohë Shqipëria ka një sistem proporcional rajonal më i drejti është pragu natyral i marrjes së mandatit” shprehet deputeti.

Sa i takon përzgjedhjes së kandidatëve nga kryetari i partisë ai ka thënë se është gjëja më normale në botë, drafti i propozuar nga Gjikunuri ka marrë si bazë modelet më të mira perëndimore.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re