Nga Blendi Gashi

Udhëheqësit e institucioneve kosovare, presidenti Thaçi, kryeministri Haradinaj e kryekuvendari Veseli kanë qëndruar të martën në shtëpinë e Sami Lushtakut në Drenicë.

Përveç tyre, aty prezent ka qenë edhe kreu i komunës së Skënderajt, Bekim Jashari, pinjoll i Jasharajve, i cili ka lënë pas akuzat që adresoi javë më parë ndaj Lushtakut dhe asamblistëve të PDK-së, për bllokim të punës.

Lushtaku e Jashari në tavolinë janë parë ulur pranë njëri-tjetrit, dhe Bekimi e ka arsyetuar shkuarjen në konakun e Samiut, përmes një statusi në Facebook, ku shkruan se.

“Sot me kërkesën e tij si nikoqir i Komunës, e shoqërova z. Haradinaj, edhe në një ndejë private te ish-kryetari Sami Lushtaku. Prandaj dua të sqaroj gjithë opinionin se unë si nikoqir i Komunës isha shoqërues i kryeministrit dhe asgjë më shumë. Vazhdoj të jem Kryetar i Skënderajt transparent, llogaridhënës dhe nuk ka asnjë lëkundje në projektet tona për zhvillim të Skënderajt dhe qëndroj prapa të gjitha deklaratave të mia për të gjitha zhvillimet. Qytetarët e Skënderajt po e shohin frymën e re të qeverisjes me transparencë dhe llogaridhënie, pa korrupsion me duar të pastërta, me synim të qartë arsimin dhe zhvillimin e Skënderajt”, shkruan Jashari.

Ja ç’akuza bëri Bekimi në shkurt për Lushtakun…

Por të kthehemi tek “lufta” që u ndez dy muaj më parë në Drenicë ku Bekimi foli për tradhtitë e bëra nga Samiu.

Në mëngjesin e datës 6 shkurt, Jashari thirri një konferencë për media ku tha se Lushtaku dhe njerëzit e tij po tentojnë ta sabotojnë në punë.

“Që tenton Sami Lushtaku të më bllokoj, kjo nuk më befason aspak, sepse Sami Lushtaku edhe babën e mixhën tim i ka lanë për 5 vjet dhe ka ikë në Gjermani, sepse është po ai Samiu që ka qenë”, deklaroi Jashari pas dështimit të mbledhjes së asamblesë komunale, pasi asambleistë të PDK-së por jo vetëm, kishin dalë nga seanca.

Pasardhësi i familjes Jashari nuk u ndal me kaq, duke vijuar të flasë dhe për Samiun e pasluftës kur ai udhëhoqi komunën e Skënderajt.

“Vetëdisojuni dhe kuptoni se kush ka interesa të ngushta në këtë vend, drejtësia ka mu marr me të gjitha pronat që janë uzurpua. Po ja u jap një rast, kerrin zyrtar të kryetarit të komunës, Sami Lushtaku deri me 11 dhjetor e kam marrë me dy goma të dimrit dhe verës, kur e kemi shiku se pse tha para një muaj ditë i kemi ngjitë katër. Deri në at nivel janë shku edhe gomat me i marrë”, akuzoi Bekimi.

Këtyre akuzave ju ishte përgjigjur Lushtaku, i cili e porositi Jasharin që të mos merret me vitet e ’90-a, duke thënë se “Bekimi ka qenë i vogël atëherë.

Pritja e Lushtakut vjen edhe pas akuzave që bëri ndaj Veselit…

Kjo pritje e Lushtakut vjen vetëm një ditë pasi ai adresoi vërejtje në adresë të kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, për performancën jo të mirë të partisë në zgjedhjet e fundit në vend.

Lushtaku tha se Veseli është përgjegjës për humbjen e PDK-së në zgjedhjet e vitit të kaluar, duke theksuar se nuk ka bërë përzgjedhjen e duhur të kandidatëve për kryetar të komunave.

Ai ka shtuar më tej se nëse partia dështon përsëri në zgjedhje, Veseli do të duhej të largohej vetë nga drejtimi i subjektit, ndërsa e ka këshilluar të jetë më i prerë në vendimet e tij.

Përkundër këtyre kritikave, Lushtaku ka thënë se s’ka ambicie të kandidojë për postin e të parit të PDK-së, ndërsa ka pohuar se do ta mbështeste Veselin për kryetar të PDK-së përsëri, nëse rikandidon për këtë pozitë.

Lushtaku ka kritikuar edhe qeverinë “Haradinaj” sidomos për numrin e madh të zv.ministrave.

Kujtojmë se fotografitë nga pritja që Lushtaku u ka bërë në shtëpi krerëve të shtetit janë publikuar në Facebook nga ish-nënkryetari i komunës së Skënderajt, Fadil Nura.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re