Skip to content

A jetojmë në të njëjtin planet? Ç’thonë mediat ruse për pushtimin

Pjesa më e madhe e mediave në Rusi është nën kontrollin e shtetit, gjë që shpjegon pse kanalet televizive në atë vend e paraqesin pushtimin si një akt vetëmbrojtjeje që synon ekskluzivisht largimin e ushtrisë ukrainase, shkruan BBC.

Shumë kanale citojnë një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes, e cila thotë se “armë me precizion të lartë” përdoren kundër vendndodhjeve ushtarake ukrainase, pa kërcënuar civilët.

Televizioni zyrtar shtetëror Rossiya 1 e filloi programin e tij të lajmeve me fjalët: “Rusia nisi sot një operacion special ushtarak që synon mbrojtjen e njerëzve që janë ekspozuar ndaj abuzimit dhe gjenocidit të regjimit në Kiev për tetë vitet e fundit”.

Ndërkohë, disa lajme përfshinin sondazhe dhe intervista në rajonet e kontrolluara nga rebelët në Ukrainën lindore me vendasit në dukje të gëzuar.

Kanali zyrtar shtetëror i lajmeve Rossiya 24 tregoi dy persona në Donetsk duke biseduar me një gazetar.

“Është madhështore. Nuk ka fjalë të tjera për ta përshkruar,” tha një burrë.

“Jam vërtet e lumtur. Ne e kemi pritur këtë për tetë vjet,” tha një grua për kanalin.