Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, është shprehur se Shqipëria nuk ka menduar largimin e muxhahedinëve iranianë nga Kampi, por shtoi se ata duhet të reflektojnë për sjelljen e sotme, pas përplasjeve me policinë gjatë një aksioni me urdhër të SPAK.
Komentet Çuçi i bëri përmes një deklarate për mediat, ku tha se muxhahedinët nëse duan të vijojnë të qëndrojnë në Shqipëri, duhet të zbatojnë ligjet në fuqi të vendit tonë dhe vendimet e gjykatave.
Ai shtoi se SHBA nuk është pjesë e paktit të Shqipërisë me opozitën iraniane, por sipas tij, Amerika është partneri kryesor i Shqipërisë dhe vendi ynë i koordinon politikat e jashtme dhe të brendshme me ta.
Pyetje: A ka menduar Shqipëria prishjen e marrëveshjes me MEK për largimin e tyre nga vendi? Çfarë aktiviteti të paligjshëm po kryenin anëtarët e MEK në Shqipëri?
Çuçi: Lidhur me pyetjen e parë, sigurisht që jo, nuk kemi menduar ne të prishim marrëveshjen. Nëse at ai mbeten marrëveshjes që të qëndrojnë për qëllime humanitare, ne i mbetemi marrëveshjes. Marrëveshja do të vijojë, por duhet të ketë edhe një reflektim nga ata lidhur me sjelljen e tyre ndaj institucioneve shqiptare. Pasi me sjelljen e sotme, treguan se nuk janë gati për të respektuar institucionet shqiptare. Ne nuk kemi menduar të prishim marrëveshjen.
Lidhur me pyetjen e dytë se çfarë kanë bërë ata, duhet t’i drejtoheni Prokurorisë, pasi nuk është ministry i Brendshëm ai që duhet ta dijë përgjigjen. Prokuroria po heton një sërë çështjesh ndaj tyre, mes tyre dhe një për shkelje të ligjeve në fuqi. Lidhur me marrëveshjen që ata nuk duhet të kryejnë aktivitete politike dhe protesta, ata kanë vijuar aktivitete politike. Lidhur me çështjet konkrete, është SPAK që po heton.
Duhet ta kenë të qartë ata dhe çdo njeri në Shqipëri që vendimet e Gjykatës nuk diskutohen, por zbatohen. Ata nuk pranonin as ta merrnin vendimin e gjykatës.
Ajo deklarata për dhunë duhet tërhequr mbrapsht dhe ata le të marrin edhe pamjet e njerëzve të tyre brenda dhe nëse ka një rast që një efektiv ka prekur një person, mund ta quajnë dhunë, megjithëse prekja nuk është dhunë.
Lidhur me partnerët, duhet ta dini që amerikanët nuk janë pjesë e paktit me MEK. Amerikanët janë partnerët tanë më të ngushtë dhe ne jemi në një linjë për sa i përket zbatimit të ligjit ndërkombëtar dhe në Shqipëri.
