Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në lidhje me zhvillimet politike.

Duke u ndalur te vendimi i mazhorancës për shkarkimin e Ilir Metës si President i Republikës, Balla theksoi se tashmë gjithçka është në dorë të Gjykatës Kushtetuese.

“Kjo nuk është një pyetje që mund t’i jap përgjigje sot. Ne kemi thënë që ditën e parë, që ne do të respektojmë çdo vendim që do të marrë Gjykata Kushtetuese. Ajo që Grupi i PS ka vendosur si standard është se vendimet e gjykatës nuk komentohen, por vetëm zbatohen.

Ne do mirëpresim çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe nuk do të bëjmë asnjë koment, derisa gjykata të shprehet për këtë çështje. Qëndrimi ynë ka qenë shumë i qartë që presidenti Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën.

Tani nuk mund të japim komente shtesë, se kjo nuk i bën mirë marrëdhënieve ndërinstitucionale. Çdo shprehje e jona do të ishte ndërhyrje në pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese, e cila sipas afateve kushtetuese duhet të shprehet në fund të janarit deri në mes të shkurtit për këtë rast.

Sa i përket përfundimit të mandatit 5-vjecar të Metës, në fund të muajit prill Kuvendi hyn në afatet për procesin e zgjedhjes së Presidentit. Nëse do kemi ndërprerje të parakohshme të mandatit të Presidentit me vendim të Gjykatës Kushtetuese, është përcaktuar kush kryen detyrat e presidentit gjatë kohës që vendi ka një president të shkarkuar”, u shpreh Balla.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re