Autizmi është një çrregullim i zhvillimit, i karakterizuar nga dëmtimi i ndërveprimit social dhe i komunikimit, si dhe nga sjellje të kufizuara dhe përsëritëse. Këto shenja në shumicën e rasteve fillojnë përpara se fëmija të bëhet tre vjeç.
Megjithëse shumë fëmijë autikë nuk mund të jetojnë të pavarur në moshë të rritur, shumë prej tyre ia dalin me sukses në këtë aspekt. Tashmë është zhvilluar një kulturë, e cila synon që autizmi të konsiderohet si një ndryshim dhe jo çrregullim.
Lidhur me pyetjen se a kanë të gjithë fëmijët me autizëm zhvillim të vonuar, ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik theksojnë se: “Jo, ka një shtrirje të gjerë të aftësive kognitive(njohëse), apo të të menduarit ndërmjet fëmijëve me autizëm. Disa prej tyre kanë një koeficient inteligjence nën mesataren, ndërsa të tjerë e kanë si prej gjeniu. Fëmijë të tjerë kanë vonesa domethënëse në të gjitha hapësirat e zhvillimit”.
Po sipas tyre, edhe pse diagnoza e autizmit nuk varet nga aftësitë kognitive të fëmijës, ajo ndihmon në ofrimin e informacionit lidhur me atë fushë që rezulton e dëmtuar, në mënyrë që të kuptohen më mirë nevojat dhe aftësitë e fëmijëve dhe të planifikohen ndërhyrje sa më efikase nga ekipet e përkujdesit.
Sa i takon trajtimit, “bluzat e bardha të Institutit të Shëndetit Publik sqarojnë se: “Nuk ka ndonjë mjekim që mund të trajtojë autizmin, por ka medikamente që trajtojnë disa nga simptomat. Për shembull, disa fëmijë me autizëm mund të marrin medikamente për problemet e gjumit, ankthin, hiperaktivitetin, sjelljet vetëdëmtuese, apo luhatjet e gjendjes shpirtërore”.
.



