Ish kreu i Komisionit Zgjedhor të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, në një intervistë me Skype për NewsLine në Abc News, tha se Partia Demokratike zyrtare mund të regjistrohet për zgjedhjet e 14 Majit. I pyetur nga gazetarja Viol Xhafaj, ai tha se Alibeaj mund të regjistrohet pasi i është deleguar e drejta nga Lulzim Basha.
“Po, e ka këtë të drejtë ta regjistrojë sepse i është deleguar nga kryetari. Në marrëdhëniet me të tretët mund të veprojë por me zgjedhësit nuk e lejon Kodi Zgjedhor”, tha Kume. Ai shtoi se problemi nuk qëndron tek regjistrimi por te fleta e votimit pasi aty duhet të shënohet emri i Lulzim Bashës.
“Nuk është ky problemi për sa kohë i ka paraqitur dokumentet ashtu siç e kërkon Kodi. Është një marrëdhënie administrative midis partisë dhe KQZ. Problemi do të jetë se si do të formulohet fleta e votimit sepse dihet se përmbi emrit të partisë, duhet të vendoset sigla dhe emri i kryetarit të partisë.”, tha ai.