Nga Blendi Gashi

LDK-ja e Isa Mustafës, përmes një deklarate bëri të ditur se nuk do ta japë votën pro në Kuvend për platformën e qeverisë për dialogun me Serbinë, e cila parasheh që presidenti Hashim Thaçi të jetë në krye të ekipit negociator.

Por në letrën e saj kjo parti fare nuk e përmend emrin e Thaçit, ndërsa thotë se mbetet e përkushtuar për një proces dialogues serioz, konsensual brenda kornizave kushtetuese.

Por sa mund ta mbajë kjo parti këtë qëndrim nëse ndërkombëtarët duan që Thaçi të jetë kryenegociatori?

Nëse kihet parasysh arsyetimi i bërë nga sekretari Ismet Beqiri më 12 maj të këtij viti, se partia e tyre lidhi koalicion me PDK-në më 2014-tën pasi ja kërkuan ndërkombëtarët meqë kurrë s’do ta bënin një gjë të tillë, vë në dyshim edhe qëndrimin rreth Thaçit kryenegociator.

“Ishte me kërkesë, të them edhe me njëfarë presioni të bashkësisë ndërkombëtare për të kryer disa punë të mëdha. Ishte kërkesë eksplicite veçmas e Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Beqiri, teksa ka sqaruar pozicionin dhe deklaratën e tij se kurrë s’do bëjnë koalicion me PDK-në.

Kjo deklaratë mund të merret si një sinjal se LDK mund të ndryshojë sërish qëndrim karshi Thaçi nëse SHBA dhe Gjermania kërkojnë që presidenti të vazhdoi udhëheqjen e bisedimeve, pasi dialogu me Serbinë nga ndërkombëtarët shihet si sfida më e madhe që ka Kosova para vetës.

Se mund të ndërron qëndrimi i partisë së Mustafës, tërthorazi e thonë edhe njohës të rrethanave politike, ndërsa drejtues të organizatave qeveritare më shumë deklaratën e LDK-së e shohin si një kundërreagim.

A do të zmbrapset LDK?

Astrit Gashi, njohës i çështjeve politike qëndrimin e LDK-së e quan me vend por ka dilema nëse mund ta ruajë deri në fund.

“Një konsensus për parimet kryesore, synimet dhe vijat e kuqe në bisedimet me Serbinë si dhe një proces gjithëpërfshirës është i domosdoshëm për Kosovën. Deklarata e sotme e LDK është një veprim i mirë në këtë drejtim, por ajo duhet të ruhet deri në fund, jo për inat të ndonjërit, por në të mirë të vendit”, shkruan Gashi në Facebook.

Kurse Ismet Kryeziu, drejtor i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) thotë se deklarata e LDK-së është kundër reagim ndaj presionit publik.

“Përndryshe, kjo deklaratë se mohon përfshirjen në një konsensus, por kërkon një platformë konsensuale, e cila do të ishte më me vlerë institucionale nëse arrihet përmes debatit parlamentar, e jo takimeve që anashkalojnë debatin parlamentar”, shkruan Kryeziu në Facebook.

Kujtojmë se presidenti Thaçi ka bërë të ditur se dialogu me Serbinë do të rifillon në mes të muajit qershor por nuk ka dhënë një datë të saktë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re