Një sulm ajror dhe detar i Britanisë së Madhe dhe i SHBA-së kundër houthi-ve të mbështetur nga Irani në Jemen është një përshkallëzim i llogaritur për të frenuar kërcënimet, por që mund të ndezë një luftë rajonale.

Testi kyç do të jetë përgjigja e militantëve Houthi të mbështetur nga Irani. Houthi-t njoftuan shpejt se do të hakmerreshin kundër luftanijeve amerikane dhe britanike në Detin e Kuq. Çdo kundërsulm serioz mund të çojë në një konfrontim të drejtpërdrejtë me Iranin, diçka që të dyja palët kanë thënë se duan ta shmangin.

Këto sulme përfaqësojnë përshkallëzimin më serioz të dhunës në rajon që nga shpërthimi i luftës së Gazës midis Izraelit dhe Hamasit. Rreziku i llogaritjeve të gabuara tani është rritur, gjë që mund të çojë në një përshkallëzim të pakontrolluar të konfliktit.

Kryeministri britanik Rishi Sunak e përshkroi ndërhyrjen si “veprim të kufizuar, të nevojshëm dhe proporcional në vetëmbrojtje”. Presidenti i SHBA Joe Biden ka paralajmëruar se do të ketë më shumë masa nëse vazhdojnë kërcënimet ndaj anijeve globale.

Katër avionë Royal Air Force Typhoon morën pjesë, së bashku me avionë luftarakë amerikanë, anije luftarake dhe një nëndetëse, të armatosur me raketa dhe bomba të drejtuara me saktësi. Mbështetje u ofrua edhe nga Australia, Bahreini, Kanadaja dhe Holanda.

Një vend, në Jemenin veriperëndimor, i quajtur Bani, u përdor për të nisur zbulimin dhe sulmin me dronët, ndërsa tjetri, në aeroportin në Abbs, u përdor për të lëshuar raketa lundrimi dhe dronë mbi Detin e Kuq, tha Ministria e Mbrojtjes në një deklaratë.

 

Analistët theksojnë se provokimi i houthi-ve të mbështetur nga Irani ishte i drejtpërdrejtë dhe vendimi për të kryer këto sulme në një rajon tashmë të tensionuar për shkak të luftës në Gaza e bën situatën edhe më të ndjeshme.

Sulmi amerikano-britanik vjen si kundërpërgjigje ndaj sulmeve me dronë dhe raketa nga ky grup jemenas i mbështetur nga Irani në korsitë ndërkombëtare të anijeve në Detin e Kuq që filluan nëntorin e kaluar si përgjigje ndaj sulmeve izraelite në Rripin e Gazës.

Deti i Kuq është një rrugë ujore kritike për tregtinë ndërkombëtare, veçanërisht për dërgesat e naftës dhe karburantit, duke lidhur kanalin e Suezit në Egjipt me Gjirin e Adenit nëpërmjet ngushticës Bab al-Mandab.

Kanali i Suezit lejon anijet që vijnë nga Evropa të kalojnë tranzit drejt Azisë pa pasur nevojë të marrin rrugën shumë më të gjatë dhe më të shtrenjtë rreth skajit jugor të Afrikës.

Kanali televiziv Al-Masirah, i cili i përket Houthi-t, njoftoi se Sanaa, kryeqyteti i Jemenit, i ishte nënshtruar “agresionit amerikan”.

Udhëheqësi Houthi, Ali al-Qahoum tha se grupi rebel po synonte anijet luftarake të SHBA-së dhe Britanisë në Detin e Kuq si hakmarrje për sulmet e aleatëve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re