Nga CNN

Sapo Covid-19 u kthye në pandemi globale, markat më të famshme të modës dhe veshjeve sportive përshtatën linjat e tyre me këtë situatë. Maskat, të cilat deri më tani janë e vetmja armë kundër Covid-19, janë jo vetëm ato mjekësore, me ngjyrë të bardhë dhe mente, por moda i ka çuar një hap më tej. Ndërsa maskat prej pëlhure të bëra nga materiale tradicionale mund të ndihmojnë në ngadalësimin e përhapjes së Covid-19, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, disa kompani mode po shkojnë një hap më tej. Ato po tregtojnë pajisje të reja dhe në disa raste linja të shumta veshjesh, pasi kanë veti antimikrobike, aplikacione që pengojnë rritjen e mikroorganizmave të tilla si bakteret dhe kërpudhat, ose zvogëlojnë aktivitetin viral. Por çfarë bën moda antimikrobike dhe a mund të sigurojë mbrojtje shtesë gjatë një pandemie?

Në muajt e fundit, markat përfshirë Burberry kanë prezantuar maska ​​që, siç pretendojnë ata, janë të mbrojtura nga mikrobet dhe bakteret. Maska UA Sportsmask e Armour, e cila pretendohet se ka veti antimikrobike, u shit në më pak se një orë kur doli këtë verë.

Dhe Diesel po shet xhinse që pretendon se luftojnë virusin. Marka italiane njoftoi se do të përdorë një teknologji të quajtur ViralOff, që sipas saj, fizikisht ndalon 99% të çdo aktiviteti viral.

A mund t’ju mbrojë moda antimikrobike nga koronavirusi?

Në SHBA, markat nuk mund të pretendojnë që produktet do të mbrojnë përdoruesit nga SARS-CoV-2, pa siguruar prova të mjaftueshme. Prandaj, disa kompani thjesht aludojnë për mbrojtje shtesë ose higjienë, megjithëse printet e vogla shpesh zbulojnë se trajtimet antimikrobike kanë për qëllim vetëm të pengojnë rritjen bakteriale ose virale, jo të mbrojnë përdoruesin nga patogjenët.

“Pa testimet e duhura shkencore nga markat në të gjithë bordin, është e vështirë të vlerësosh nëse trajtimet antimikrobike mund të mbrojnë përdoruesit nga koronavirusi i ri.”- thotë Amy Price, shkencëtare e cila ka këshilluar OBSH-në në udhëzimet e saj për maskën e fytyrës.

Disa kompani thonë se kanë testuar produktet e tyre me SARS-CoV-2, si PROTX2 AV i IFTNA që Under Armour thotë se përdor dhe Viroblock i HeiQ, i cili, përdoret nga marka të shumta për të prodhuar maska, mantele shumëpërdorimshme, madje edhe për dyshekët. IFTNA thotë se testimi i fundit laboratorik tregon efikasitetin e PROTX2 AV kundër Covid-19, ndërsa HeiQ pretendon se Viroblock, i cili është shtuar në pëlhurë gjatë fazës përfundimtare të procesit të prodhimit të tekstilit, ka dalë efektiv kundër Sars-CoV-2. CNN nuk ka qenë në gjendje të verifikojë këto pretendime, informon dritare.net

Por disa kompani të tjera nuk kanë zbuluar se mbi cilat viruse i kanë testuar produktet e tyre, duke turbulluar ujërat e të ashtuquajturës modë “antimikrobike”.

A mund t’ju mbrojë moda antimikrobike nga koronavirusi?

Price, e cila studioi efektivitetin e maskave të pëlhurave tha se ekziston një numër variabëlish që përcaktojnë sesa mbrojtje ofron një produkt.

“Shpesh, bakteret dhe viruset kanë mënyra të ndryshme të riprodhimit dhe disa gjëra të ndryshme janë efektive kundër tyre. Në rastin e antimikrobikëve është e rëndësishme të dini se me çfarë keni të bëni, me çfarë është testuar dhe nëse është e sigurt për lëkurën e njeriut. Duhet të siguroheni që është vërtet e sigurt.”- thotë ajo.

Në një studim të përbashkët, Dr. Atul Grover, drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Institutit të Kërkimit dhe Veprimit të Kolegjeve Mjekësore Amerikane dhe Price zbuluan se maskat prej pëlhure mund të jenë më të mira sesa maskat kirurgjikale për sa i përket bllokimit të grimcave. Por vetëm nëse ato janë bërë mirë, me një dizajn me tre shtresa dhe të jenë shtrënguar fort.

Mbase përdorimi i maskave antimikrobike mund të zvogëlojë mundësinë e infektimit, por ka shumë që nuk dimë për SARS-CoV-2. Rrugët kryesore të transmetimit ende kontestohen, ashtu si sasia e virusit që kërkohet për të sëmurë një person.

“Përfitimet e mundshme të pëlhurave antimikrobike janë edhe më pak të qarta për veshjet që zakonisht nuk janë në kontakt me fytyrën, si xhinset. Ti do të ulesh, do të fërkosh këmbët, pastaj fytyrën, atëherë çfarë kuptimi ka?”- thotë Price.

E gjitha që duhet të bëhet është të testohen veshjet dhe njerëzit të sigurohen para se t’i përdorin. Nëse një person ndihet më i sigurt duke veshur një tekstil mikrobik dhe ajo siguri është vetëm një iluzion i marketingut, kjo mund t’u kushtojë atyre jetën./Përshtati nga CNN: Kadrije Çako/dritare.net

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re