Mijëra ton mbeturina të rrezikshme janë varrosur nën një nga burimet kryesore të ujërave nëntokësore të Evropës – në Wittelsheim, në rajonin francez të Alsasës.
Në qershor, autoritetet franceze vendosën të mbyllin përgjithmonë ish-minierën Stocamine, ku ndodhen mbeturinat, me arsyetimin se nuk ka kohë të mjaftueshme për largimin e tyre të sigurt. Megjithatë, vendimi është pritur me kritika të ashpra nga komuniteti shkencor dhe organizatat mjedisore, të cilat paralajmërojnë për ndotje të mundshme të ujërave nëntokësore të Rajnit të Sipërm.
Aktualisht, rreth 42,000 ton mbetje toksike ndodhen në një thellësi prej 500 metrash, në një rrjet tunelesh 125 kilometra të gjatë.
Një vendim i gjykatës së Strasburgut më 17 qershor konfirmoi se rreziku i shembjes së tuneleve të minierave e bën largimin e mbetjeve shumë të rrezikshëm. Studimet kanë treguar se qasja në minierë në kushte të sigurta do të jetë e mundur jo më vonë se viti 2027 ose 2028. Bazuar në këtë, vendi u urdhërua të mbyllet përgjithmonë dhe të vuloset me mure të trasha betoni për të parandaluar rrjedhjen e substancave të dëmshme.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë për rrezikun që mbetjet mund të kontaminojnë një nga rezervuarët më të mëdhenj të ujërave nëntokësore në Evropë.
Gjeologu zviceran Marcos Buser beson se brezat e ardhshëm do ta dënojnë vendimin për t’i lënë mbeturinat nën tokë dhe argumenton se arsyeja e vërtetë është fshehja e pranisë së kimikateve të padeklaruara në minierë.
Në vitin 1997, qeveria franceze vendosi ta shndërronte minierën në një vendgrumbullim mbeturinash, me qëllim zbutjen e pasojave ekonomike të mbylljes së industrisë së potasit në zonë. /tesheshi.com/
