Qindra shqiptarë janë bllokuar në vende të ndryshme të botës nga mbyllja e kufijve si pasojë e përhapjes së koronavirusit.

Situata më problematike paraqitet në Kapshticë, ku 25 shqiptarë vijojnë të jenë të bllokuar në pikën kufitare, pasi nuk lejohen të futen në tokën shqiptare, por as të kthehen në Greqi.

Situata e krijuar ka sjellë edhe reagimin e Avokatit të Popullit, ku përmes një letre, ngre shqetësimin se po shkelen të drejtat e njeriut.

Përmes një analize të lirisë së hyrjes në territorin shqiptar të shtetasve shqiptarë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, dhe aktet ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut, Avokati i Popullit i është drejtuar Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Drejtorisë së Përgjithshme pë Policisë së Shtetit me rekomandim;

– Rekomandimi kërkon marrjen e masave të menjëhershme, për të mos e cënuar në mënyrë joproporciale të drejtën për hyrë në territor të shtetasve shqiptarë që kanë mbetur të bllokuar ditët e fundit në kufirin tokësor me shtetin grek dhe shtetin malazez, për shkak të masave të veçanta administrative të marra gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19.

– Në përfundim, Avokati i Popullit përshëndet përpjekjet e deritanishme të autoriteteve për t’iu ardhur në ndihmë shtetasve shqiptarë të mbetur jashtë vendit, por bën thirrje që këto përpjekje të vijojnë edhe në të ardhmen dhe cdo kufizim i lirive të qytetareve të jetë i bazuar në ligj dhe në përpjesëtim me rrezikun ku ndodhet vendi.

Autoritetet shqiptare kanë lejuar që të futen në atdhe 17 emigrantë të bllokuar prej më shumë se 3 ditësh në Kapshticë, duke i ndarë nga pjesa tjetër që ndodhen ende të bllokuar në kufirin neutral. Mësohet se janë futur në territorin shqiptar, pasi morën leje nga instancat përkatëse, vetëm ata që janë rezidentë në vendin tonë.

Sipas njërit nga emigrantët e bllokuar, ata që kanë dokumente greke nuk janë lejuar të futen në atdhe, por as në Greqi. Aktualisht janë ende 25 emigrantë që presin prej 4 ditësh në Kapshticë, teksa disa prej tyre janë kthyer mbrapsht nga Greqia duke u kapur në kurth tek zona neutrale.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re