Komisioni i Prokurimit Publik është një institucion i krijuar me Ligjin Nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik” i ndryshuar dhe aktet nënligjore në zbatim të tij. Ai është një organ shtetëror specifik, quasi gjyqësor, me juridiksionin për të siguruar mbrojtje ligjore në prokurimin publik. KPP-ja ushtron funksionin e saj sipas parimit bazë të prokurimit publik: transparencës.

Krijimi i këtij Komisioni në Shqipëri u bë me qëllimin për të koordinuar sistemin e prokurimit publik, me traditat ligjore të Bashkimit Evropian. Në fakt, Komisioni i Prokurimit Publik është organi më i lartë në fushën e prokurimeve, që shqyrton ankesat për procedurat e prokurimit në përputhje me kërkesat e përcaktuara në këtë ligj duke mbajtur parasysh, përveç parimeve të përgjithshme të përmendura në nenin 2 të këtij ligji, edhe parimet e mëposhtme: paanshmërinë në shqyrtimin e ankesave, qëndrueshmërinë në vendimmarrje, ligjshmërinë, shpejtësinë dhe eficencën, aksesin, karakterin publik, si edhe parimin e kontradiktoritetit.

Por në raportin “Analizë e procedurave të Prokurimit Publik”, rezulton se funksioni i këtij institucioni nuk rezulton të jetë ushtruar nga anëtarët e tij për sa kohë procedurat kanë përfunduar ose me kualifikimin e vlerës më të lartë ose me skualifikimin e të gjithë operatorëve ekonomikë pjesëmarrës, duke arritur po kështu tek i njëjti përfundim.

Në raport theksohet se një problematikë e rëndësishme është ajo e zgjatjes së afateve gjatë shqyrtimit të procedurave nga ana e KPP-së. Edhe KLSH-ja në raportin e vitit 2020 në lidhje me veprimtarinë e KPP-së konstaton se: “për periudhën 1 janar 2019 deri më 30.09.2019 kemi këto statistika: janë paraqitur gjithsej 823 ankesa, nga të cilat:

  • 264 ose 32% janë shqyrtuar jashtë afatit të përcaktuar në nenin 63 të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik” dhe nenit 22 të Vendimit të Komisionit të Prokurimit Publik nr.596, datë 12.09.2018 “Për miratimin e rregullores për organizimin dhe funksionimit të Komisionit të Prokurimit Publik”.
  • Ndërsa 559 ose 68% e tyre janë shqyrtuar brenda afatit ligjor.

Për sa më lart, raporti vëren se: “për sa u trajtua më sipër për mosrespektimin e afateve të vendimmarrjeve të KPP-së”, dolëm në konkluzionin se:

  • Shqyrtimi i ankesave jashtë afatit, sidomos numri i lartë në vitin 2018, i cili është raportuar edhe nga vetë KPP-ja në Kuvendin e Shqipërisë, ka ardhur për shkak se institucioni ka qenë në procesin e konstituimit për shkak të kalimit në institucion të pavarur dhe u krijua një vakum kohor;
  • Shtimi i rasteve të ankesave gjatë vitit 2017, 2018 dhe 2019 të krahasuara me vitet e mëparshme;
  • Shkak tjetër është ardhja me vonesë e informacionit dhe dokumentacionit të autoritetit kontraktor; dosjet kanë qenë problematike, voluminoze apo të komplikuara, që kanë dashur marrjen e informacionit të duhur edhe nga organe të tjera kompetente – verifikime në organet që i kanë lëshuar dokumentet, ballafaqime etj. Megjithëse, ligji nr. 9643, datë 20.11.2006, në nenin 72 përcakton edhe penalitete për autoritetet kontraktore në raste të vonesave të dërgimit të dokumentacionit të kërkuar nga KPP-ja, në asnjë rast KPP-ja nuk ka kërkuar pranë APP-së marrjen e masave për vendosjen e penaliteteve.
  • Gjithashtu, shkak tjetër objektiv për vonesat në shqyrtimin e ankesave brenda afatit është numri i pamjaftueshëm i burimeve njerëzore. Konkretisht: Struktura dhe organika e Komisionit të Prokurimit Publik për vitin 2017 është miratuar në total me 30 punonjës, ku Sektori i Shqyrtimit të Ankesave përbëhej nga 15 punonjës: 1 Përgjegjës Sektori dhe 14 Inspektorë, nga të cilët Përgjegjës Sektori dhe 5 pozicione inspektorë kanë qenë vakante (6 pozicione gjithsej)”.

Për rrjedhojë, raporti thekson se: “është momenti i duhur që prokurimet publike të vihen mbi bazë të rrepta ligjore të kontrollueshme, të verifikueshme jo vetëm nga auditimi i jashtëm si KLSH, por edhe nga mekanizma të tjerë të mbikëqyrjes dhe parandalimit të abuzimit dhe korrupsionit, që ka munguar në vendin tonë”.

Korrupsioni në prokurimet publike çon drejt shtrembërimit të konkurrencës, kufizimit të tregjeve, kufizimin e hyrjeve të reja në treg dhe mosafrimin e investitorëve të huaj. Roli i ekspertëve monitorues dhe i shoqërisë civile është vendimtar në këto procedura për të rritur llogaridhënien dhe transparencën nga ana e institucioneve përkatëse dhe për të garantuar manaxhimin e mirë të fondeve publike në interes të gjithë shoqërisë.

Ky shkrim është publikuar në kuadër të projektit “Nxitje transparencës dhe luftës ndaj korrupsionit në prokurimet publike në shëndetësi”, i cili zbatohet nga shoqata “Together for Life” dhe mbështetet financiarisht nga Fondacioni Shoqëria e Hapur. Qëllimi i këtij shkrimi është informues. Mendimet dhe opinionet e shprehura në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re