Komiteti i Transportit i Parlamentit Evropian i ka dhënë dritën jeshile një ndryshimi në ligjin për të drejtat e pasagjerëve ajrorë, i cili do t’u lejonte të gjithë pasagjerëve të sillnin bagazhe dore deri në shtatë kilogramë në fluturime – plotësisht falas.
Sipas propozimit të ri, çdo pasagjer do të kishte të drejtë të mbante një çantë që peshon deri në 7 kg dhe një send tjetër të vogël personal që mund të futet nën sedilje pa pagesë shtesë, raporton Politico.
Edhe pse iniciativa ende nuk është konfirmuar në negociatat me shtetet anëtare të BE-së, ajo ka shkaktuar reagime të forta nga industria e linjave ajrore. Shoqatat e linjave ajrore me kosto të ulët paralajmërojnë se rregullat e reja mund të çojnë në rritje të çmimeve të biletave, si dhe vonesa shtesë për shkak të hapësirës së kufizuar në kabina.
“Pasagjerët duhet të vendosin vetë se për çfarë duan të paguajnë“, tha Uranija Jorgutsaku, drejtoreshë e grupit lobist Airlines for Europe (A4E), duke theksuar se ligji i ri mund të ketë pasoja negative për linjat ajrore me kosto të ulët.
Mbështetja për propozimin vjen me një referencë në vendimin e vitit 2014 të Gjykatës së Drejtësisë të BE-së, sipas të cilit bagazhi i dorës është një “pjesë e pandashme” e udhëtimit, nëse përmbush kufizime të arsyeshme në peshë dhe dimensione – deri në një maksimum prej 100 cm në shumën totale të gjatësisë, gjerësisë dhe lartësisë.
Ndryshimi prek veçanërisht linjat ajrore me buxhet të ulët që vendosin tarifa për bagazhet e dorës. Nga ana tjetër, organizatat e konsumatorëve e mirëpritën vendimin, duke theksuar se është një e drejtë themelore e konsumatorit.
Nëse ligji miratohet në formën e tij të plotë, udhëtarët në të gjithë Evropën më në fund mund të harrojnë kostot e fshehura për çantat që deri më tani është dashur të paguhen shtesë. /tesheshi.com/