Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) kanë ndaluar kompanitë izraelite të marrin pjesë në një konferencë mbrojtjeje që do të mbahet në Dubai muajin e ardhshëm, raportuan mediat izraelite.
Sipas gazetës së përditshme Yedioth Ahronoth, Ministria izraelite e Mbrojtjes është informuar se kompanitë nuk do të lejohen të marrin pjesë në këtë ngjarje dhe vendimi u është komunikuar drejtpërdrejt drejtuesve të industrisë.
Ndërsa shpjegimet zyrtare përmendën shqetësime për sigurinë, zyrtarë të lartë izraelitë pretenduan se ky veprim ishte një përgjigje ndaj sulmit izraelit të së martës ndaj udhëheqjes së Hamasit në kryeqytetin e Katarit, Doha.
Gjithsesi, nuk pati asnjë deklaratë zyrtare nga Emiratet e Bashkuara Arabe në lidhje me ndalimin e raportuar.
Të martën, më 9 shtator, Izraeli kreu sulmin e parë në territorin e Katarit, duke synuar rezidencat e udhëheqësve politikë të Hamasit në Doha, ndërsa shteti i Gjirit po priste bisedime indirekte për armëpushim të ndërmjetësuara së bashku me Egjiptin dhe SHBA-në.
Katari e dënoi sulmin si një “akt frikacak” dhe një shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar, duke paralajmëruar se nuk do të toleronte “sjelljen e pamatur” të Izraelit.
Hamasi më vonë konfirmoi se udhëheqja e tij politike kishte mbijetuar një sulmi ajror izraelit që vrau pesë anëtarë të grupit.
Më shumë se kaq, nga ky sulm ka një zgjim apo vetëdijësim të lehtë të vendeve arabe, të cilat po marrin mesazhin se janë dhe ato të kërcënuara nga Izraeli dhe se aleanca me SHBA apo se dhe potencialet ushtarake amerikane që posedojnë, nuk paskan asnjë vlerë përballë shtetit sionist. /tesheshi.com/
