Eugena Tomini, Shefe e shërbimit në Institutin e Shëndetit Publik deklaroi se virusi COVID-19 ka gjetur terren në kohën kur nuk respektohen rregullat e distancimit social. Në një lidhje skype për ‘News24’ Tomini tha se pritet një rritje e numri të të infektuarve.
Ajo bëri të ditur mes të tjerash se në 10 ditët e fundit, mbi 60 % e rasteve të reja me COVID-19, janë me simptoma dhe kanë nevojë për hospitalizim, pasi vuajnë kryesisht nga sëmundje kronike. Po ashtu Tomini tha se virusi nuk mund të zhduket 100%.
“Unë s’do e quaja valë të dytë, por një intensitet në rritje të rasteve me COVID-19. Parashikohet që strukturat kufitare do të ndjekin protokollet për rastet që vijnë qoftë nga vendet që kanë rrezikshmëri, por dhe vendet e tjera. Të gjitha strukturat shëndetësore janë në alert. Parashikojmë që strukturat kufitare do të jenë në angazhim të plotë,” u shpreh ajo.
/shqip
