(Shkas: Sulmet ndaj Islamit dhe Muhammedit sal-lallahu alejhi ve sel-lem)
Nga: Sali Shasivari
Në këtë botë të sprovave, në këtë kohë të pakohë, dhe në këto rrethana të çuditshme në të cilat po zhvillohet ‘luftë’ e pakompromis në mes të mirës dhe të keqes, të drejtës dhe të padrejtës, si dhe vlerave dhe antivlerave…, zakonisht, viktima e parë është e vërteta!
Madje, në ditët e sotme, një ‘luftë’ e këtillë ka marë formë shumë sistematike dhe tejet të sofistikuar, duke krijuar një gjendje dhe situatë tejet të mjegulluar dhe komplekse, me ç’rast, në saje të një propagande perfide, tentohet – me çdo kusht – që gjërat të paraqiten ashtu siç nuk janë, apose, në formë të kundërt të asaj që janë!
Kështu, e keqja paraqitet si e mirë, e shëmtuara si e bukur, e padrejta si drejtësi, fyerja si liri e shprehjes, antivlera si vlerë, diskriminimi si normë, pakica si shumicë, shfrytëzimi si investim, okupimi si demokratizim, terrori si luftë kundër terrorizmit, lufta si paqe, etj!
S’do mend se, e gjithë kjo propagandë dhe kjo luftë zhvillohet për ego të pangopur, epshe shtazarake, dëshira të paskrupullta, ikje nga vetvetja dhe nga krizat e brendshme, defokusim nga realiteti i hidhur, hedonizëm të momentit, interesa të ulëta, agjenda të errëta, etj!
Për më tepër, meqë është kohë e dominimit global të një kulture dhe civilizimi të caktuar, i gjithë ky destruktivitet dhe ky kaos zhvillohet dhe realizohet në bazë të maksimave “I forti imponon rregullat”, dhe “Dhuna ndryshon ligjin”; si dhe, në saje të nëpërkëmbjes së parimeve, mosrespektimit të ekuilibrave, imponimit të kuteve të dyfishta, etj!
Në situata dhe rrethana të këtilla, protagonistët dhe shkaktarët e këtij destruktiviteti dhe këtij kaosi, në funksion të avansimit të agjendës së tyre apokaliptike, si dhe me qëllim të defokusimit të vëmendjes nga veprimet e tyre djallëzore, në vazhdimësi provokojnë dhe krijojnë kriza të paqena.
Në mesin e këtyre provokimeve dhe krizave të paqena janë provokimet dhe nxitjet e vazhdueshme që bëhen ndaj Islamit dhe gjithçkahit që lidhet me të…!
A thua vallë, pse çdoherë Islami në shënjestër?!
Përgjigjja e shkurtër ndaj kësaj pyetje qëndron te fjala e urtë: ‘Pema që ka kokrra gjuhet me gurë’…
Ndërsa, përgjigja e detajuar ndaj kësaj pyetje është tejet e gjatë dhe komplekse. Por, në këtë kontekst, mjafton të përmendim në mënyrë telegrafike faktet që vijojnë:
1. Islami, në saje të tipareve hyjnore, universale dhe tejkohore që ngërthen në vehte, është fe e natyrës së pastër njerëzore, mëshirë për gjallesat dhe krijesat, si dhe shpëtim për to në këtë botë dhe në Botën Tjetër… Andaj, sipas armiqëve të Islamit, çdo shpifje, akuzë dhe propagandë ndaj kësaj feje, do të ndihmonte në zbehjen e shkëlqimit të tij…
2. Islami ngërthen në vehte përmbajtje, oferta dhe zgjidhje, të cilave nuk mund të ju bëjë dot ballë asnjë filozofi, ideologji apo platformë… Andaj, sipas armiqëve të Islamit, ‘preventiva është më e mirë se kurimi’…
3. Islami si nocion, koncept dhe përmbajtje, është tejet i gjërë. Ai është fe dhe sistem jete, besim dhe ligj, udhëzim dhe rregulla, moral dhe norma, etj., dhe, si i tillë, ai është tërësi që nuk pranon të ndahet, ngase, t’e ndash atë d.m.th. t’e vdesësh atë. Së këndejmi, një realitet i këtillë paraqet pengesë serioze për të gjithë ata të cilët pretendojnë se duhet të kenë monopol mbi të gjitha çështjet e kësaj jete, dhe se, besimi dhe besimtarët duhet izoluar brenda mureve të zemrës dhe të faltoreve; kjo, konform maksimës së njohur: ‘Jepja Cezarit gjërat që janë të Cezarit; dhe jepja Zotit gjërat që janë të Zotit’… Andaj, sipas armiqëve të Islamit, kjo fe, meqë nuk pranon të ndahet, ajo duhet luftuar si tërësi…
4. Islami paraqet antipodë të planeve ogurzeza, të padrejta dhe djallëzore… Andaj, sipas armiqëve të Islamit, asgjësimi i këtij ‘kundërshtari të denjë’, këtij ‘oponenti potencial’, dhe kësaj ‘alternative’, është prioritet mbi prioritetet…
5. Islami, sa herë që lihet i lirë dhe nuk luftohet, ai përhapet me shpejtësi dhe kaplon mendjet dhe zemrat e gjithë atyre që kanë mendje të hapur, logjikë të shëndoshë, zemër të pastër dhe ndërgjegje të gjallë… Andaj, sipas armiqëve të Islamit, është e domosdoshme lufta e vazhdueshme ndaj tij, edhe atë, nëse jo për zhdukjen e tij të plotë (gjë kjo e pamundur, ngase, mbijetesa e Islamit si fe është garantuar nga ana e Krijuesit të Gjithësisë), së paku të bëhet njollosja e tij, dhe ngadalësimi i hovit të tij…
Këto, dhe shumë të vërteta dhe arsye tjera, bëjnë që, Islami, sikurse përgjatë historisë, poashtu edhe në ditët e sotme, të jetë ‘hal në sy’ për çdo individ, grup dhe ‘bandë’, të cilët, egon, dëshirat dhe interesat e veta i kanë vënë mbi / dhe në llogari të çdo interesi tjetër…
Dallimi i vetëm është në atë se, sot, këto individë, grupe dhe ‘banda’ të interesit kanë arritur një nivel të lartë dhe të sofistikuar në sferën e metodave dhe veprimeve të tyre djallëzore; ndërsa, nga ana tjetër, përqafuesit, përfaqësuesit dhe përkrahësit e Islamit janë në gjendje krize dhe dobësie të thellë, si rezultat i indiferencës, neglizhencës dhe jopunës së tyre nga njëra anë, si dhe si rezultat i propagandave, sulmeve dhe ‘luftërave’ të vazhdueshme që janë ushtruar, dhe që po ushtrohen ndaj tyre në vazhdimësi, nga ana tjetër…
Për më tepër, gjersa në të kaluarën e afërme, fokusi i propagandës dhe ‘luftërave’ ishte i orientuar kah shkatërrimi i individit dhe shoqërive muslimane… Në dekadat dhe vitet e fundit, fokusi i kësaj propagande dhe kësaj lufte është përqëndruar tek feja dhe burimet e fesë së individëve dhe shoqërive muslimane, gjegjësisht, tek ‘ndotja’ e këtyre burimeve, edhe atë, duke njollosur këtë fe dhe simbolet e saj përmes propagandave, shpifjeve, akuzave, etj.; duke krijuar – në këtë mënyrë – një rreth vicioz dhe një proces të pafundtë reagimesh dhe kundër-reagimesh, të cilat, edhepse nuk janë gjithaq të vështira për t’u kuptuar, por të njejtat, janë tejet të vështira për t’u tejkaluar… E, në këtë mënyrë, armiqtë e Islamit dhe muslimanëve fitojnë kohë dhe shënojnë avantazhe të vazhdueshme në garën e tyre të padrejtë… Kjo, ngase, ‘Të prishësh, është më lehtë se sa të ndërtosh’, dhe, ngase, ‘E keqja nuk ka rregulla’…
Së këndejmi, në këtë mishmash dhe në këtë katrahurë, ‘fitimi i argumentit’ shndërrohet në mision të vështirë, bile-bile, në mision të pamundur.
Andaj, në situata të këtilla delikate, metodat e qasjes dhe zgjidhjes së këtyre problemeve duhet të jenë më të sofistikuara – ose, së paku, në të njejtit nivel – në krahasim me metodat dhe mjetet të cilat i shfrytëzon pala e cila krijon probleme…
Përndryshe, jo vetëm që ‘humbet argumenti’, por, përmes qasjeve joadekuate dhe joproporcionale, rrezikohet që gjërat të komplikohen edhe me shumë, si dhe të krijohen probleme të reja, të cilat do të rezultonin me shtimin e propagandave, akuzave, shpifjeve dhe ‘luftërave ndaj kësaj feje dhe pjestarëve të saj. Madje, ‘gjuetarët e shtrigave’ do të shfrytëzonin rastet e këtilla për të shtuar dhe intensifikuar ‘shigjetat’ e tyre plotë helm ndaj Islamit, si dhe ndaj simbolit të kësaj feje hyjnore, Muhammedit sal-lallahu alejhi ve sel-lem.
Zoti na ruajtë nga ‘sherri’ i vetvetes, dhe nga ‘sherri’ i të tjerëve… Amin.
Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.



