Nga: Floriar Arapi

Shqiptarët mbas 8 viteve qeverisje të dështuar të Ramës, mbushur me korrupsion, arrogancë, drogë, varfëri, etj., kërkojnë natyrisht që gjërat të ndryshojnë. Ata janë të mllefosur keq me qeverisjen në shërbim të një grushti njerzish, me aferat korruptive galopante, me koston e një kilometri rrugë 20 milion euro, ndërkohë që vetë spo mund të shlyejnë dot borxhet, spo u sigurojnë dot fëmijëve të tyre një jetese normale, e spo u ngelet rrugë tjetër vec emigrimit. Janë mllefosur me banditët në parlament dhe jashtë parlamentit, me mungesën e sigurisë dhe futjen e vendit në kthetrat e krimit. Megjithëse me një mllefosje të tillë, ata kur kthejnë kokën për të gjetur shpresën, mllefosen akoma më keq. Vrasja e shpresës, është më rëndë sesa vuajtjet e momentit. Ata kthejnë kokën nga opozita, për të parë se ç’ofron ajo, por a ka ndryshim opozita! Opozita megjithëse e ka pasur në majë të gjuhës dekriminalizimin e parlamentit dhe të politikës, në listat e saj nuk mungojnë të fortët, as njerëzit e lidhur me krimin dhe trafiqet. Aty nuk mungojnë as të krimburit në korrupsion, të paaftët dhe të pamerituarit në përfaqsim, njësoj sikurse edhe në PS. Përsa i përket të fortëve e trafikantëve, ndërkohë që në listat e PS tashmë ata janë futur me përfaqsues fëmijët, dhënduret apo shokët, në listat e PD ka raste që  janë futur edhe vetë. Këto, për sa i përket listave të kandidatëve për deputet, sepse në rangjet më poshtë, në pjesën e militantëve, aty të fortët dhe bandat janë të preferuar për secilën parti, për të bërë aleanca me qëllim që të ushtrojnë presion mbi votuesit.

Rasti i fundit, i vrasjes në Elbasan, tregon qartë se në vend qeverisin 3 banda, një në pushtet dhe dy në opozitë, si dhe degët dhe aleatët e këtyre bandave të shpërndarë në të gjithë vendin. Përplasja e armatosur në prezencën e policisë tregon që këto banda janë mbi policinë dhe shtetin, dhe nuk pyesin aspak që vrasja kryhet në prezencën e policisë. Kjo ngjarje ishte vula e shumë krimeve të tjera të kryera nga të dyja palët, blerje votash, presion ndaj qytetarëve, kontrolle në rrugë, kërcënime me armë, për të cilat janë nxjerrë mjaft fakte e dëshmi. Shqiptarët janë të tronditur më së shumti sepse në këtë ngjarje opozita e cila premton ndryshimin dhe shtetin ligjor, doli zyrtarisht duke mbrojtur bandën e saj vrasëse dhe më pas një nga eksponentët më të lartë të PD, drejtues i qarkut të Dibrës, e përdori me krenari si kërcënim, se kështu do të vriten edhe të tjerët që dyshohen të jenë pjesë e bandës kundërshtare. Megjithëse jo me shumë shpresa, shqiptarët kërkojnë nga drejtësia të zbardhë këtë ngjarje dhe tu përgjigjet pyetjeve; pse u godit me 5 plumba dikush i paarmatosur? A ishte kjo një tensionim i çastit apo ekzekutim me paramendim dhe i porositur? A ka lidhje vrasja e tij me aktivitetin e tij të mëparshëm në partitë e opozitës? Shumë njerëz pyesin, pse ky tension kaq i lartë, madje shpesh u bëhet thirrje që të mos vriten për partitë sepse paria dhe liderët e tyre nuk meritojnë asgjë dhe nuk ndryshojnë asgjë. Por jo, militantët apo ushtarët e bandave e dinë mirë pse përplasen. Ata nuk përplasen për idealet partiake apo për Shqipërinë, që ajo të zhvillohet si vendet e tjera të Evropës, që aty të ketë siguri dhe mirëqenie. Ata përplasen për veten e tyre. Përplasen për të marrë një vend pune në dogana, tatime, në inpektoriatet ndërtimore, tek legalizimet, përplasen për tenderat, për eskluzivitetin e trafiqeve, përplasen se kush do ta shqyejë Shqipërinë, jo kush do ta bëjë atë. Ata përplasen për të blerë ndonjë shtëpi më tepër, ndonjë vilë tjetër në bregdet apo jashtë vendit, për të blerë jahte e makina më të reja, apo edhe për të pasur një dashnore më të mirë. Ka edhe një arsye tjetër që ndikon në këtë tensionim. Shumë njerëz në Shqipëri besojnë në nje opinion konspiracionist, që pushteti ndryshohet çdo 8 vjet. Këtë radhë që Rama rrezikon të marrë një mandat të tretë, paria e këtyre parti-bandave dhe ushtarët e tyre nuk e durojnë dot qëndrimin të uritur në opozitë. Shqiptarët duan ndryshim, por a do ketë ndryshim? Çfarë ndryshimi do ketë kur të tre palët kryesore nuk ndryshojnë nga njëri tjetri. Mundet që të ketë ndryshim hajdutësh dhe të babëziturish, ikin një palë dhe vijnë një palë tjetër, por ska ndryshim për shqiptarët. Ata premtuan luftë kundër bandave, bandat sundojnë dhe vrasin në sy të policisë. Premtuan lista të hapura, që tu japin një mundësi qytetarëve të zgjedhin persona pozitivë, në fakt i hapën përgjysëm, më pas i mbyllën me urdhër, sidomos në rastin e opozitës, që u kanë ndaluar të bëjnë thirrje për vota për veten e tyre, gjoja të ruajnë unitetin por në fakt kështu ruhet lista e kryetarit. Po të shohësh në profilet e tyre, bëhet thirrje vetëm për numrin e partisë jo për numrin e tyre, përvec të privilegjuarve, që janë në fillim të listës. Ata që premtuan ndryshimin nuk do të ndryshojnë dhe as nuk do të ikin nga drejtimi i partive edhe nëse humbin, qoftë Rama, qoftë Basha, qoftë Meta. Fatkeqësisht ndryshon apo nuk ndryshon pushteti, ai është ndryshim i pashpresë. Për shqiptarët nuk do të ketë ndryshim, edhe nëse ndryshon pushteti.

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re