Nga: Floriar Arapi

Me gjysëm zëri dhe me fytyrë të zbehur, i trembur dhe i frikësuar, Basha më në fund filloi betejën për vrasjen e babait të tij politik. Në të vërtetë proçesi i “vrasjes së babait” në çështjet e pushtetit nuk është një rast i rrallë, ajo ka ndodhur shpesh dhe jo vetëm në kuptimin figurativ, por edhe në kuptimin literal të fjalës, ku përveç marrjes së pushtetit, shumë princa kanë vrarë edhe fizikisht baballarët e tyre.

Po a kemi të bëjmë në rastin e Bashës, me “atvrasje” ? A është vërtetë Berisha, babai politik i Bashës? Po të shohim historikun politik të Bashës, rezulton se ai, nga një person anonim pa asnjë kontribut shoqëror apo politik në Shqipëri deri në vitin 2005, me të dalë në skenë bëhet drejtues i KOP ( Komiteti i Orientimit të Politikave, organizatë ndihmese e PD themeluar në vitin 2005 e cila funksionoi defakto vetëm pak muaj) dhe pas disa muajsh bëhet me radhë ministër në ministritë kyçe, ( i transporteve, i jashtëm dhe më pas i brendshëm) pra respektivisht numri dy i qeverisë, pas 6 vitesh bëhet kryebashkiak i kryeqytetit dhe pas 8 vitesh kryetar i opozitës.

Por kush ishte Lulzim Basha?

Kur hyri në politikë Basha në opinionin publik u diskutua të ishte miku i vajzës së Berishës, me të cilën kishin punuar bashkë në administratën e UNMIK në Kosovë. Po a ishte vetëm kjo arsyeja e këtij katapultimi politik të jashtëzakonshëm të një njeriu anonim dhe pa ndonjë aftësi apo sukses të mirëfilltë në politikë.

A fshihet Soros pas këtij katapultimi të një askushi në krye të shtetit?

Pas shkarkimit nga grupi parlamentar, Berisha tha qartësisht se mbas Bashës qëndron Soros dhe ai e dinte këtë që në fillim. Lulzim Basha dhe gruaja e tij Aurela Isufi, kanë qenë prej njerëzve përfitues të bursave të Soros në vitet ‘95 dhe ‘96. Këtë fakt Basha është përpjekur ta fsheh, derisa u bë publik në debatet me Eduart Selamin dhe të tjerë. Më pas Fondacioni Soros nëpërmjet drejtorit të saj, Dobrushi ka pohuar që Basha dhe gruaja e tij, kanë qenë përfitues të bursave të Soros. Të marrësh një bursë nga Sorosi nuk ka qenë ndonjë gjë e rrallë dhe nuk është ndonjë gjë aq kompromentuese, sepse bursat e Soros kanë qenë të shumta, por të përpiqesh ta fshehësh këtë fakt dhe ç’është më e rëndësishmja, të mbledhësh rreth vetes dhe pushtetit që posedon, duke filluar nga gruaja, në KOP, në ministri dhe në parti, të gjithë njerëzit që janë të lidhur me Sorosin dhe me OJQ e tij, atëherë këto jo vetëm që janë kompromentuese, por tregojnë qartë që lidhja e Bashës me Sorosin nuk është e thjeshtë, por që është një lidhje e fortë, e cila e bën Bashën prodhim politik të Sorosit, ose ndryshe “bir” politik të tij.

Kështu që kur vendosemi përpara pyetjes, a kreu Basha “atvrasje”, më afër realitetit do ishte përgjigja që; Basha ka vrarë njerkun, Berishën, me urdhër të babait të tij, Sorosit.

A ka bërë Berisha pakt me djallin?

Berisha pas përjashtimit të tij nga grupi parlamentar e deklaroi haptazi që Basha ishte një vegël në duart e Sorosit. Por a e dinte Berisha këtë, kur e mori Bashën dhe e katapultoi në numrin dy të qeverisë dhe më pas e bëri kryetar të PD?! Berisha në historinë e tij politike përgjithësisht ka qenë politikan inferior ndaj të huajve dhe ka bërë rregullisht lëshime ndaj parimeve dhe interesave të vendit, në favor të pushtetit të tij. Ky inferioritet është dukur qartë:

⁃ në aleancën që ai ka bërë me klanet katolike (deri edhe ektremiste) të dirigjuara nga disa nga shtetet evropiane, duke u kujdesur që gjithmonë të ndaj pushtetin me ta dhe t’ju japë atyre ministritë që ata kanë kërkuar, kërkesat e preferuara të të cilëve kanë qenë Ministritë e Kulturës ose Arsimit.

⁃ Në lëshimet, frikën dhe inferioritetin ndaj grekëve, ndaj të cilëve sidomos që pas viteve 2002-2003 ka qenë zemërgjerë në aleanca dhe në plotësimin pa kriter të orekseve të tyre, për territore në det, apo deri dhe zhvarrosjen e fëmijëve shqiptar për të mbushur varrezat greke në Shqipëri si ushtarë grekë. Një shembull i mirëfilltë është edhe mbështetja e zellshme ndaj Vasil Bollanos në kulmin e aktivitetit të tij antishqiptar. Berisha i prirur nga ky mentalitet për të bërë kompromise për pushtetin e tij, duket qartë, që me të njëjtën metodologji ka vepruar edhe me Sorosin dhe me perandorinë e tij liberalo-majtiste. Ai tashmë thotë që e ka ditur, që Basha ishte vegël e Sorosit, por nuk tregon pse e promovoi Bashën në krye të shtetit. Pra është vetë Berisha, ai që nëpërmjet Bashës i ka dorëzuar partinë Sorosit dhe krahut të tij majtisto liberal. Tashmë që Basha po tenton ta nxjerrë jashtë partie Berisha kupton që ka gabuar, ose më mirë të themi kupton se është tradhëtuar, mbase marrëveshja është prishur dhe tashmë atij i duhet të luftoj për ta rivendosur autoritetin e tij.

Për Shqipërinë kapja plotësisht nga Sorosi i PD do të sillte njëherazi edhe kapjen e plotë të shtetit shqiptar prej tij. Kjo do sillte edhe regjim të ri në Shqipëri, ose një sistem të ngjashëm si monopartiak pasi krahët politik të ndryshëm rrezikojnë të dirigjohen nga i njëjti person. Kjo do të sillte edhe humbje pavarësie, pasi politikat e jashtme të shtetit nuk do të mbrojnë me interesat kombëtare, por interesat e boshtit liberalo-majtist të orientuara nga Soros. Një shembull i mirë është rasti i mini Shengenit, ku palët serbe dhe shqiptare të orientuara nga Soros po përpiqen ta realizojnë.

Hapat e kapjes politike të Shqiperisë nga Soros.

Soros me fondacionet e tij të shumta, u fut në Shqipëri që në vitet e para të demokracisë, duke dhënë bursa,duke financuar shoqërinë civile, OJF-të,opinionistët, gazetarët dhe duke bërë vepra filantropie, të përqendruara në arsim dhe media, si ndërtime dhe restaurime shkollash. Pasi dolën brezat e parë të formuara me idetë e tij, ata filluan të integroheshin në politike dhe Rama ishte një prej tyre, me lidhje të dyfishta pasardhes i nomenklaturës komuniste dhe bartës i ideve liberale majtiste të Soros. Atij iu ofrua posti i Ministrit të Kulturës nga Nano, me shumë gjasa në një marrëveshje të ngjashme sikurse u afrua Basha nga Berisha, për të marrë mbështetjen ndërkombëtare dhe deri diku të brendshme të perandorisë Soros. Pas bërjes së Ramës ministër, i gjithë fokusi mediatik i brendshëm madje edhe jashtë Shqiperisë, u përqendrua te Rama si shpëtimtari i Shqipërisë, ndërkohë që dihet influenca e Sorosit në media. Pas kësaj Rama u bë kryetar bashkie, ku promovimi i tij u bë maksimalisht në arenë ndërkombëtare. Në këtë kohë doli në skenë edhe Veliaj, me Mjaftin që më pas u kthye në parti politike, i cili ishte një prodhim i pastër majtisto-liberal i Sorosit në ndryshim nga Rama që ishte një përzierje me komunizmin. Mirëpo më vonë ky eksperiment dështoi totalisht dhe ata hoqën dorë menjëherë nga ky eksperiment dhe Veliaj u fut brenda PS që të zhvillohet si pjesë e saj dhe ta marri kontrollin nga brenda. Në vitin 2005 pas humbjes së zgjedhjeve, filloi lufta për drejtimin e  PS, ku Nano e akuzoi hapur Ramën si mason dhe njeri i Sorosit dhe se përdori Mjaftin për të rrëzuar PS nga pushteti. PS kreu zgjedhjet për kreun e PS dhe Nano fitoi sërish por pas dy ditësh në një akt të paqartë jep dorëheqjen dhe ia lë partinë Ramës. Në këtë kohe fillon edhe “ylli i ri” majtisto-liberal në PD, Basha, i cili këtë proçes që Rama e kreu ndaj  Nanos në 2005, po përpiqet me gjysëm zëri ta bëj tani në 2021 ndaj Berishës. Me ikjen e Berishës, poltika shqiptare dhe Shqipëria hyn plotësisht nën pushtetin e liberalëve të drejtuar nga Soros.

Por a do të arrij Basha të zbrapsë Berishën?

Berisha është lojtar i fortë dhe nuk është çudii që personi që ka zgjedhur për të përfaqsuar Sorosin në Pd, pra Bashën, ta ketë zgjedhur të tillë, pa ndonjë karakter të fortë politik, në mënyrë që mos ta ketë të vështirë të heq, nëse ai do të vepronte këtë që Basha veproi tani. Gjasat që Basha të fitoj PD janë shumë të pakta. Basha nuk mban asnjë fitore mbi supe, ato pak suksese si ministër më tepër i dedikohen Berishës. Basha ka shumë frikë dhe forma si ai sulmon është në mënyrë tinëzare, kurse kundrejt tij është Berisha i cili është ekspert për t’u përballur. Basha nuk ka militantët me vete. Militantët janë partia në të vërtetë. Kryesia, kryetarët e degëve dhe deputetët, nuk vlejnë asgjë pa militantët, sepse militantët e ndjejnë veten në parti, si në shtëpinë e tyre, ndërkohë që vetë Basha i duket vetja si në shpi të huaj, ku ka frikë të hyj e të dalë nga zyra e tij sepse do ta shajnë rëndë anëtarët e partisë së tij.

Teza kryesore e Berishës është statuti dhe cfarë thotë statuti, ndërsa teza kryesore e Bashës është Amerika dhe cfarë thotë Amerika. Në fakt Basha me servilizmin e tij ndaj Amerikës tregohet qesharak, për të cilin edhe amerikanët e Sorosit janë bërë ose do bëhen pishman që e kanë mbështetur. Pritshmëria e Bashës se gjithcka e ka në dorë Amerika, e bën Bashën qesharak si Spartak Ngjela, i cili u bë edhe karikaturë ku u thoshte njerëzve se nuk duhet të shkojnë me gruan në shtrat, pa marre leje nga Amerika. Amerika as do vij të votoj në PD, as do sjellë ushtrinë për të hequr Berishën nga PD. Edhe nëse amerikanët ushtrojnë presion për burgosjen e Berishës dhe ia arrijnë, ai thjesht do të kthehet në hero, sepse megjithë abuzimet dhe vjedhjet e njerëzve rreth tij, nuk ka shqiptar që nuk e di që Rama dhe pushteti i tij është shumë herë më i korruptuar nga pushteti i Berishës.

Mentaliteti skllavërues ndaj të huajve që promovon Basha, është një problem i madh për politikën shqiptare, paçka se në këtë rast të huajt janë amerikanët të cilët për ne janë aleatë të mirë dhe në përputhje interesash me shqiptarët. Basha defakto i skllavëron shqiptarët duke ua hequr atyre të drejtën e votës dhe të zgjedhjes. Ai promovon idenë se në pushtet vjen ai që do Amerika dhe jo ai që votojnë shqiptarët. Për këtë arsye Basha është armik i pavarsisë së Shqipërisë dhe njëherazi armik i popullit shqiptar i cili sikurse çdo popull, e çmon lirinë dhe pavarsinë e tij.

Kapja e shtetit nga hajdutët e tre partive kryesore, PS-PD-LSI, kurrë nuk duhet të përkthehet në atë që shqiptarët të heqin dorë nga pavarsia dhe liria.

Në filozofinë e liberalo-majtistëve nuk ka atdhe dhe Basha është i brumosur me këtë filozofi, por për natyrën njerzore atdheu (jo nacionalizmi) është një nocion dogmatik të cilin të majtët duke filluar nga Marksi e kanë nënvlerësuar dhe kanë rezultuar qesharak në parashikimet e tyre. Megjithëse Basha nuk e do atdheun e tij, shqiptarët e duan Shqipërinë dhe pavarsinë e saj, megjithëse e vogël, e dobët dhe e vjedhur nga politikanët e saj. Për këtë arsye Basha dhe të gjithë ata që mbrojnë tezen e tij për heqjen defakto të pavarsisë së Shqipërisë, duhet të zhduken nga politika dhe nga Shqipëria, mundësisht t’u hiqet edhe shtetësia shqiptare si tradhëtar dhe armiq të pavarsisë dhe lirisë së shqiptarëve.

Për sa i përket Berishës koha e tij ka ikur, të djathtët dhe shqiptarët ia dhanë dy herë mundësinë të tregonte veten, por ai me sa koha tregoi, në mentalitet dhe ideologji, nuk i ndryshoi shumë betimit që kishte bërë në vitin 1968 që do vdiste si komunist. Reforma agrare e vitit, 1992 në përdorim dhe 1994 në pronësi, ligji i legalizimeve 2006, nuk zhbëhen dhe ai do të ngelet gjithmonë përgjegjës për shkatërrimin e pronës dhe të së drejtës. Nëse Berisha do ta fitoj këtë betejë, që sipas gjasave duket që do ta fitoj, ai do ti bej një shërbim vendit për ruajtjen e pavarsisë, por kjo do të ngelet vetëm me kaq. Shpresa përsëri është e vdekur.

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re