Kryeministri i mandatuar malazez Dritan Abazoviç prezantoi konceptin e një qeverie të re, në krye të së cilës do jetë, e cila sipas njoftimeve do të ketë 20 ministra dhe katër zv/kryeministra.

Mazhoranca e re pritet të kërkojë një seancë të Kuvendit javën e ardhshme, në të cilën do të konfirmohet qeveria.

“Tani është në dorën e deputetëve, u takon atyre të vendosin se kur do të mbahet seanca. Sa më përket mua, mund të jetë nesër, por është festë, kështu që është më realiste të jetë javën e ardhshme”, tha Abazoviç në konferencën për shtyp, duke prezantuar konceptin e qeverisë së ardhshme, për të cilën tha se do të bazohet në dy shtylla – sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik.

“Unë pres mbështetjen e 46 deputetëve,” tha Abazoviç.

Ai tha se “ideja është që Mali i Zi të ketë stabilitet, pajtim dhe perspektivë evropiane në vend të destabilitetit politik”.

Së bashku me lëvizjen qytetare URA, të udhëhequr nga Abazoviç, qeveria do të përbëhet nga Partia Popullore Socialiste, Socialdemokratët dhe partitë e pakicave, ndërsa Partia Demokratike e Socialistëve e Presidentit Milo Gjukanoviç do ta mbështesë pa pjesëmarrje.

Qeverisë aktuale të kryeministrit Zdravko Krivokapiç iu dha një votë mosbesimi në parlament në fillim të shkurtit.

Më herët të mërkurën, deputeti i Frontit Demokratik (DF) Strahinja Bulajiç dha dorëheqjen si nënkryetar i parlamentit të Malit të Zi, duke krijuar kushte për konfirmimin e qeverisë së re dhe zhbllokimin e parlamentit.

Që nga 1 marsi, Bulajiç refuzoi të caktojë një seancë parlamentare sepse, pretendoi ai, vullneti i votuesve i ishte dhënë qeverisë së re të pakicës.

Më herët në shkurt, Aleksa Beçiç u hoq nga posti i kryetarit të Kuvendit, kështu që Bulajiç mori rolin e kreut parlamentar.

Pas dorëheqjes së Bulajiç, seanca e parlamentit malazez duhet të caktohet nga nënkryetari i dytë, Ervin Ibrahimoviç, nga Partia Boshnjake, për të konfirmuar qeverinë e re.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re