Disa nuk i njohin prindërit që i kanë sjellë në jetë. Të tjerët, nuk i kanë pranë për shkak se ata nuk kanë mundësi ekonomike për ti rritur vetë.

Izolimi prej parandalimit të koronavirusit i ka lidhur edhe më shumë me kujdestarët, të cilët kanë lënë në shtëpi fëmijët e tyre dhe po qëndrojnë me ta 24 orë në 24.

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=jbHdqOslYN0?feature=oembed&w=1200&h=675]

E kemi fjalë për atë që ndodh brenda mureve të Shtëpisë të Fëmijëve shkollorë në Shkodër.

“Prej datës 13 mars kemi mbetur dhe ne këtu të izoluar. Këta fëmijë janë pjesë e jona dhe ne pjesë e tyre. Jemi të afërm me ta. Fillimisht e patëm të vështirë se kemi dhe familjet tona jashtë”, shprehet një nga mësueset.

Edhe fëmijët, fillimisht e patën të vështirë të ambientoheshin me izolimin.

“Ditët e para e kemi pasur të vështirë, por me kalimin e kohës dhe me ndihmën e mësuesve po e kalojmë”, u shpreh një nga fëmijët.

Xhuli tregon se mësimet i merr përmes kanalit televiziv publik.

“Mësimet i marrim nga RTSH, që jep programe për mësimin”, tregon ajo.

Kjo gjimnaziste lexon dhe libra jashtë shkollore, prej të cilave merr mesazhe shumë edukative.

“Po lexoj një libër të Mishel Obamës që flet për jetën e saj. Libri tregon se si një vajzë me ngjyrë mund të bëjë ndryshimin dhe se të gjithë njerëzit janë njësoj”, shprehet ajo.

Xhuli është mirënjohëse për sakrificën e personelit të kësaj shtëpie.

Në këtë Shtëpi të fëmijëve shkollorë, në Shkodër aktualisht janë të izoluar 30 fëmijë të braktisur ose të lënë nga prindërit e tyre për të jetuar në kushte më të mira dhe 6 punonjës./abcnews.al

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re