Përgjatë periudhës komuniste në Shqipëri, njerëzit mund të dënoheshin për gjërat më absurde. Nga akuzat si ‘armik’ i popullit deri tek arrestimet për një të qeshur, sot po sjellim në vëmendje rastin e një burri në moshë të thyer.

Nikollë Ndre Bardhoku ishte 103 vjeç dhe jetonte në fshatin Mali i Bardhë në Milot. Ai u arrestua në verën e vitit 1949 me akuzën se kishtr strehuar djalin e nipat e tij. Këta të fundit ishin “arratisur” sipas regjimit, e 103 vjeçari kishte kryer ‘krim’ pasi i kishte strehuar në shtëpi.

I moshuari u dënua me 20 vite burg. Pasi i kishte kryer 3 vite dënim në burgun nr.5 të Tiranës, ai vendosi t’i shkruajë një letër diktatorit Enver Hoxha, për t’i kërkuar lirimin.

LETRA:

Unë i nënshkruari Nikollë Ndre Bardhoku, lindur dhe banues në katundin Mali i Bardhë (Milot), kam nderin t’ju parashtroj sa më poshtë:

Jam arrestuar në muajin gusht 1949 nën akuzën se kam strehuar djalin dhe nipat e arratisur dhe të vrarë prej Sigurimit dhe i dënuar prej gjyqit special me 20 vjet privim lirie.

Z.komandant!

Jam një plak në moshën 106 vjeç; unë në shtëpinë time gjithë ditën natyrisht edhe natën isha i detyruar të rrija shtrirë në dyshek. Djali dhe nipat që ishin arratisë vepronin me kokën e tyre, aspak nuk më përfillnin vdek apo gjallë isha a jam.

Pra në të tilla kondita si mund të cilësohem strehues? Sot jam i sëmurë dhe nuk jam në gjendje as të vete në nevojë, por duhet të shoqërohem nga shokët.

Prandaj marrë guximin të drejtohem personalisht, juve z.komandant, duke ju lutur të më mëshironi edhe të urdhëroni lirimin tim në mënyrë që të vdes në shtëpinë time.

Me nderime

Nikoll Ndre Bardhoku

Burgu nr.5 Tiranë

Tiranë 5.2.1952

Letra u botua nga Kujto.al

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re