

Kjo është një histori nga ato më absurdet, që buroi nga regjimi komunist në Shqipëri. Jemi në vitin 1951, kohë kur Presidiumi i Kuvendit Popullor shpalli një ligj të ri me titull “Mbi mbrojtjen e paqes midis popujve”.
Një ligj absurd në hyrje të të cilit thuhej: “Nxitja dhe propaganda për luftë, përbëjnë një rrezik të madh kundër bashkëpunimit paqësor midis popujve, kundër jetës së njerëzve dhe kundër pasurisë materiale dhe kulturave të tyre. Masat punonjëse të vendit tonë, me në krye klasën punëtore, që nga çlirimi janë përveshur punës paqësore për ndërtimin e socializmit dhe të ardhmes së tyre të lumtur. Ato kanë nevojë për paqe dhe janë të vendosura ta mbrojnë me mish e me shpirt”.
E sipas këtij ligji, nëse dikush vetëm fliste për “luftë ndaj popujve”, mund të dënohej deri në 20 vite burg e punë të detyruar. Një fat të tillë pësoi një 40 vjeçar nga fshati Biovizhdë i Përmetit, bujk. Xhemal Ago quhej dhe u arrestua në maj të vitit 1951. Në gjykatë e akuzuan se “propagandoi duke hedhur parrula për një luftë të re dhe fitoren e imperializmit anglo-amerikan dhe monarko-fashistëve grekë”.
Sipas dëshmive të kohës që shërbyen për ta dënuar fermerin, kishte edhe më shumë absurditete.

“Ky (i akuzuari)…kur vinte në Leskovik ka thënë se populli është i alarmuar nga detyrimet dhe nga fshati Radat kanë ikur 12-13 veta për çështjen e bukës. Ka thënë se është shumë e rëndë kjo qeveri, se është alarmuar populli. Ky u ka shërbyer anglo-amerikanëve dhe të na robëronte ne. Unë u mendova se ky është armik i popullit”.-thoshte një dëshmitar
“Kam udhëtuar gati gjysmë ore me të dhe çdo fjalë e thoshte në favor të anglo-amerikanëve. Këtë e thoshte që të ngjallte frikë në popullor”.-thoshte një dëshmitar tjetër.
Ndërkohë, prokuroria vetë e akuzoi fermerin se kishte “propaganduar për shpërthimin e një lufte të re dhe për fitoren e imperialistëve anglo-amerikanë”
Kësisoj gjykata popullore në Përmet e dënoi me 20 vite burgim, punë të detyruar dhe sekuestrimin e çdo gjëje që kishte, kjo sepse “minoi me fjalë paqen mes popujve”.
Burimi: Kujto.al/ Përshtati: Shqiptarët për Shqiptarët.info
