Abuzimet 30 vjeçare me energjinë dhe naftën duhet t’i zgjidhë SPAK

basha-shkelzeni-berisha.jpg

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Nga Ylli Pata

Në dy superdosjet e mëdha të gazetarisë investigative botërore “Panama Papers” apo “Pandora Papers”, kur është folur për Shqipërinë, kanë dalë në skenë subjekte apo edhe kompani që kishin të bënin me sektorin me xhiro më të madhe në vend që është energjia dhe hidrokarburet.

Në gjithë këto vite, skandalet apo buja më e madhe që është bërë në çështjet e rënda për çështje të korrupsionit apo abuzimit me pushtetin në mes është energjia dhe abuzimet.

Sot, në dritën e një krize botërore, ku natyrisht edhe Shqipëria është e përfshirë, kur qeveria ka vendosur të ashtuquajturën gjendje të jashtëzakonshme në sector, Lulzim Basha nuk vonoi dhe doli në një konferencë shtypi për tu përballur me përmbajtje me qeverinë.

Konferenca e sotme e Bashës, duhet thënë që prodhoi lajm, pikërisht sepse ishte përgatitur me kujdes dhe realisht ja doli të ketë një duel të fortë për çështjen në fjalë me qeverinë. Një zhvillim që është fiks detyra dhe puna e një opozite. Tjetër gjë është se a janë të drejtë argumentet e qeverisë apo të Lulzim Bashës.

Hapja e një debate publik për këtë çështje nga ekspertë e njohës të fushës, nuk është veçse frytëdhënëse. Një mundësi që e kanalizon diskutimin në argumentet e faktet e gjendjes më emergjente. Që vendit apo edhe opinionit publik i jep një mundësi të mirë për të kuptuar.

Megjithatë, ka një kleçkë në këtë mes, që nuk mund të zgjidhet nëse nuk hyn në lojë “faktori i tretë” që është drejtësia.

Këto ditë janë risjellë në vëmendjen e opinionit publik, skandale e dosje të bujshme që duket se kanë humbur në sirtaret e historisë, si interkonjeksioni, Armo, privatizimi i Albetrolit, apo edhe çështje të tjera që vijnë si rrjedhojë e tyre.

Privatizimi i OSSH-së tek CEZ, çështja CEZ-DIA, videoja e famshme Meta-Prifti që fliste për licensat e operatorëve të energjisë, mënyra se si është vepruar për hidrocentralet, apo edhe çështja Bechetti, e cila në radhë të parë ka të bëjë për energjinë, e kthehet në argument kryesor në çështjen aktuale.

E këtu, vjen spontane nevoja që opinion publik kërkon të dijë të vërtetën zyrtare të asaj që ka ndodhur në vite me sektorin e energjisë elektrike apo të hidrokarbureve në Shqipëri.

E këtë nuk mund ta zgjidhë askush përveçse Prokurorisë Speciale kundër Krimit të Organizuar e Korripsionit-SPAK.

Mund të jetë e drejtë ajo që kolegë të kronikës kërkonin që të përshpejtohet hetimi për uniformave të policisë, apo edhe hetimi për tenderat e njësive vendore siç është dosja e bashkisë së Lushnjës që nisi pak kohë më parë.

Megjithatë, “Dosja e Energjisë” është aq e qartë, e aq e diskutuar në media, ku SPAK nuk do ta kishte vështirë ta shfletonte e të gjente veprat penale që janë kryer në vite e vite.

Gazeta TemA, ka publikuar në një mori shkrimesh dosjet që kanë të bëjnë me aferën super të rëndësishme të privatizimit të kompanisë shtetërore të shpërndarjes së energjisë OSSH në vitin 2009. Por edhe xhepat e kësaj dosje, që fshehin shumë e abuzime të mëdha me të ashtuquajturën aferë të borxheve që njihet në publik si dosja CEZ-DIA.

Madje Parlamenti i Shqipërisë, pak vite më parë ngriti një Komision Hetimor për çështjen CEZ, ku dolën fakte skandaloze, ku madje u fol se një person që ishte ndërmjetësi mes qeverisë shqiptare të drejtuar nga Sali Berisha dhe kompanisë çeke CEZ, tërhoqi brenda ditës

7 milionë euro cash nga një bankë e nivelit të dytë. Ka dyshime se një pjesë e atyre parave u përdorën për të ndikuar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009.

Sot flitet rëndom për “masakër zgjedhore”, koncensione, apo tendera të trukuar e abuzime. Por në thelb nuk ka asnjëherë një hetim të drejtë e logjik, nëse ky hetim nuk nis nga A, por nga i apo H. Sepse kur nis nga fillimi, atëherë është shumë më e thjeshtë që të ecet me kronologji, duke ndjekur abuzimin hap pas hapi. Por natyrisht duhen hapur dosjet e mëdha.

Parlamenti shqiptar mori një vendim për rastin e dosjes së privatizimit të CEZ, e dorëzoi në Prokurori, e ajo dosje është sot gati. Përse nuk e hap SPAK, duke e nisur natyrisht hetimin në mënyrën e logjikën e saj, por të marrë argumentet e Parlamentit si indicje.

Aq më shumë se mjaft aktorë të thirrur nga Parlamenti atëherë nuk pranuan të dëshmojnë, duke sfiduar kështu një Komision Hetimor që vepron sipas Kodit të Procedurës Penale. Gjysmën e dosjes e ka gati…

TemA

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë