Një raport eksperti është publikuar në Mynih që tregon se ish-Papa Benedikti XVI, në kundërshtim me pretendimet e tij, ishte në dijeni të punësimit të një prifti në vitet 1980, i cili më parë ishte akuzuar për pedofili.

Ekspertiza për rastet e pedofilisë në Kryedioqezën e Mynihut tregon se Benedikti XVI në fillim të viteve 1980, atëherë si kryepeshkop i Mynihut Joseph Ratzinger, në kundërshtim me pretendimet e tij, mori pjesë në mbledhje ku u vendos që prifti, i cili më parë ishte akuzuar për abuzim të fëmijëve, të ricaktohet në shërbimin baritor.

I njëjti prift më vonë abuzoi sërish me fëmijët.

“Ne e konsiderojmë deklaratën e Papa Benediktit që mohon praninë e tij në seancën e diskutueshme dhe jobindëse,” tha Ulrich Wastl, një avokat me firmën ligjore Westphal / Spilker / Wastl, e cila porositi një raport eksperti nga Kryedioqeza e Mynihut.

Ekspertiza akuzon kardinalin e atëhershëm Ratzinger për gabime në trajtimin e priftërinjve që njiheshin si të përfshirë në abuzimin e fëmijëve.

Vetë Papa Ratzinger ka thënë vazhdimisht se ai nuk mori pjesë në seancat e diskutueshme në të cilat u vendos që një pedofil i dënuar nga një kryepeshkopatë tjetër gjermane të pranohej në shërbimin priftëror në Kryedioqezën e Mynihut.

Sipas njohurive të deritanishme, bëhet fjalë për dy priftërinj, të cilët gjatë kohës që Ratzinger ishte Kryepeshkop i Mynihut (1977-82), pavarësisht nga ndjekja penale, u lejuan të vepronin si priftërinj në punën baritore.

Zyrtarë të rangut të lartë të Kishës Katolike Gjermane në atë kohë, përfshirë kryepeshkopin aktual të Mynihut, Reinhard Marks, përveç Benediktit XVI, akuzohen për mungesë të ndjenjës së mbrojtjes për viktimat e abuzimit.

“Ne nuk kemi vërejtur asnjë përpjekje për të mbrojtur viktimat,” tha eksperti.

Sipas ekspertizës, brenda Kishës Katolike në Kryedioqezën e Mynihut nga viti 1945 deri në vitin 2019 janë regjistruar gjithsej 235 autorë abuzimesh, nga të cilët 173 priftërinj.

Nga 497 viktima në 247 raste ishin djem, 182 vajza, dhe në rastin e 68 viktimave nuk ishte e mundur të përcaktohet gjinia e saktë.

Ekspertiza arrin në përfundimin se shumë priftërinj vazhduan të shërbenin edhe pas akuzave për abuzim seksual. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re