VALENTINA MADANI/ Ish-Kryeministri Sali Berisha kërkoi dje që të enjten të mblidhet me urgjencë Kuvendi, për të miratuar ligjin për rritjen e pagave.

rama-balluku-742x450-1 (1)

Në një deklaratë për mediat, Berisha deklaroi se Edi Rama po mashtron qytetarët shqiptarë kur thotë se do rrisë rrogat dhe pensionet. Ai garantoi se nëse të enjten do të mblidhet Parlamenti për të votuar rritjen e pagave dhe pensioneve, të gjitha votat e deputetëve të tij do të shkojnë pikërisht për këtë ligj.

“Në këtë fushatë Edi Rama nuk kursen gënjeshtrën pa lëshuar, nuk kursen fjalë të denjë për të të papërdorur. Jam zotuar që të mos merrem me fjalorin e tij, por të merrem me problemet e mëdha që ky regjim iu ka krijuar qytetarëve. Të merrem me paraqitjen e alternativës sonë për zgjidhjen e tyre. Këtë po bëjnë kandidatët tanë në mbarë Shqipërinë. Kemi ftuar për ballafaqime televizive apo në shesh për transparencë të zgjedhësve shqiptarë. Jam sot këtu për t’i shkurtuar këmbët mashtrimit të paskrupullt të tij me rrogat dhe pensionet. Edi Rama pas 10 vitesh, pasi u bë e qartë si drita e diellit se rritja e çmimeve i zhyti shqiptarët në varfëri, duke i detyruar ata që të largohen nga Shqipëria. Ai lëshoi një seri premtimesh për rritje rrogash, ndër të tjera paraqiti një ligj në Parlament me të cilin do të përcakton te rritjen e rrogës mesatare, 900 euro. E vërteta është ligjin e bllokoi vetë në Parlament, në një marrëveshje të turpshme me Alibashën, duke mbyllur parlamentin. Këtë e bëri vetëm e vetëm se ai premtim ishte mashtrim. Jam sot këtu në emër të qytetarëve shqiptarë, demokratë dhe socialistëve, dhe të paparti. Të ftoj të mbledhim me urgjencë ditën e enjte parlamentin dhe të votojmë ligjin për rritjen e rrogave dhe pensioneve. Të tallesh me njerëz që numërojnë edhe qindarkat e fundit. I them Ramës, bëhu një herë, qoftë për një moment më të shkurtin, njeri me ndjenja për qytetarët dhe hajde të votojmë ligjin e rritjes së rrogave”, tha Berisha.

AKUZAT

Ish-Kryeministri Sali Berisha, gjatë prezantimit të kandidatëve për bashkitë Sarandë, Himarë dhe Delvinë, u shpreh se ministrja Belinda Balluku është hajdutja e dytë më e madhe në gjithë Ballkanin, duke u tejkaluar vetëm nga Kryeministri Edi Rama. Ai u shpreh se me paratë e përfituara nga shitja e energjisë së vjedhur, Balluku i është “sulur” Konispolit.

“Kandidatët tanë janë kandidatët tuaj. I keni votuar vetë, por jo vetëm kaq, gjatë të gjithë fushatës kanë qenë në kontakt me ju dhe kanë dëgjuar shqetësimet tuaja e kanë paraqitur zgjedhje për problematikat e parashtruara.

Problematika të akumuluara të krijuara nga një qeverisje që në këto vite vetëm për qytetarin nuk pyeti se ekzistonin apo jo. Kandidatët e maxhorancës janë kandidatë të Ramës, të xhepit të tyre, që nuk kanë lidhe me qytetarët. Ngrihet tjetri nga Durrësi, vjen këtu i deleguari personal i famëziut Aljet Hyseni që vetë socialistët e larguan për atë që bëri. Kandidati që gjeti është kandidat pallati, të familjes së tij, çfarë e lidh me Sarandën përveç premtimit makabër që do lëvizë eshtrat nga varrezat e Sarandës së oligarkët do bëjnë aty pallate? Miqtë e mi, mafia është forma më e egër e krimit, forma më e pashpirt, ndaj dhe ata janë të aftë të bëjnë gjithçka. Shikoni se çfarë bën mafia, zbret Belinda Ballukun nga Peshkopia ku e ka dërguar, në Konispol. Po pse? E zbret me valixhe me para, po, ju them unë ju.

Sepse në Ballkan, pas Edi Ramës, ajo është hajdutja e dytë më e madhe. Po pse e them këtë, sepse ajo zbraz digat, pasurinë tuaj publike gjithë verën, në një kohë kur ligji nuk e lejon zbrazjen. E shet energjinë me 20-30 euro te sekserët e saj dhe ata po këtë energji e rishesin në bursë me 150-180 euro dhe këto i fut ndrikulla në xhep, i vjedh dhe inkason. Kush mund të dyshojë për këtë ju the se, 3 javë më parë inauguruan bursën me ndërhyrje të fortë ndërkombëtare sepse u bë e qartë çfarë vjedhje e tmerrshme bëhej me energjinë.

Doli e na tha se tani s’ka më, tani energjia do të shitet në bursë. Ku u shit energjia dy javë më parë, përsëri siç e shiste më parë, përsëri me sekserë, përsëri jashtë burse dhe me ato para është turrur drejt Konispolit. U bëj thirrje demokratëve të Konispolit, të ja filmojnë valixhet. Çamëve të Konispolit u them se, ajo duhej të ishte njeriu i fundit që mund të shkelte në Konispol sepse gjyshi i saj ka qenë xhelati i vërtetë i procesit makabër që Enver Hoxha zhvilloi kundër çamëve në Tiranë. Ajo nuk mund të shkonte në Konispol pa kërkuar të falur në emër të gjyshit për krimet e shëmtuara, paditë, spiunimet që gjyshi u bëri djemve të Çamërisë që ishin në ushtri”, tha Berisha.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re