ABC ka zbardhur dosjen e hetimeve që çuan në arrestimin e kryebashkiakut të Lushnjes, Fatos Tushe dhe dhjetë personave të tjerë.
Në dosje theksohet bashkëpunimi i Fatos Tushe dhe Flamur Peqini, Drejtor i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë Lushnjë. Bëhet fjalë për tenderin për rehabilitimin e një kanali ujitës në fshatin Bishqethëm dhe Bitaj.
Për të kryer punimet janë paraqitur në garë tre kompani: BOE Avdulli shpk dhe Bahas shpk; Hastoçi shpk dhe Euroalb shpk.
Në përfundim të afatit të paraqitjes së ofertave, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit, Margarita Gjermeni, ekonomiste, Gazmend Çela nëndrejtori dhe Xhemal Hasko përgjegjës i sektorit të ujitje të kullimit, kanë shpallur fituese kompaninë EuroAlb shpk që kishte paraqitur ofertën më të lartë 22.645.35. lekë pa TVSH me administrator Bujar Muratin.
Sipas dosjes së hetimit, në këtë moment përfshihet edhe kryetari Fatos Tushe. Rezulrton se edhe pse firma EuroAlb shpk kishte fituar tenderin, punimet dhe përfitimin real të ardhurave, i kishte realizuar dhe përfituar paratë biznesmeni Ibrahim Lami.
Sipas dosjes ky i fundit, ka lidhje të ngushtë shoqërore me Tushen dhe Peqinin, si edhe lidhje familjare me biznesmenin që ishte shpallur fitues i tenderit, Murati.
“Hetimi ka evidentuar se edhe pse kjo firmë është shpallur fituese dhe me të është lidhur kontrata e datës 11.11.2020, punimet në fakt dhe përfitimi real i të ardhurave të kësaj pune i ka realizuar shtetasi Ibrahim Lami, i cili është në lidhje të ngushtë shoqërore e shtetasve Fatos Tushe dhe Flamur Peqini si dhe lidhje familjare e Buhar Muratit,” theksohet në dosje.
