Skip to content

Abuzimi i Belinda Ballukut me tenderat me vlerë 210 milionë euro, Gjykata Kushtetuese pezullon vendimin e GJKKO-së!Çështja do të shqyrtohet në seancë publike

640 0 693c3bac3d5ba

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar vendimet e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ndalonin ushtrimin e detyrës nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Ajo është marrë e pandehur nga SPAK për aferat me tenderat me vlerë 210 milionë euro.

Kushtetuesja riktheu në detyrë Ballukun, duke pranuar ankimin e kryeministrit Edi Rama, i cili kërkoi shfuqizimin e vendimit për pezullimin nga detyra.

Megjithatë, Gjykata ende ka lënë në fuqi sekuestrimin e pasaportës, duke i ndaluar Belinda Ballukut daljen jashtë vendit, përsa kohë ajo do të jetë nën hetim dhe me statusin e të pandehurës nga SPAK.

“Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi, me shumicë votash, pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr. 118, datë 19.11.2025, dhe nr. 120, datë 22.11.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që ka disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese ‘Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik’ ndaj shtetases Belinda Balluku, sipas nenit 45 të ligjit organik të Gjykatës”, thuhet në vendim.

Po ashtu, Gjykata vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike për shkak të interesit të lartë publik, duke thirrur si subjekte të interesuara SPAK-un, GJKKO-në, Kuvendin e Shqipërisë dhe Presidentin e Republikës, në datën 22.01.2026, ora 10:00.

VENDIMI I PLOTË

Më datë 12.12.2025, Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese shqyrtoi paraprakisht çështjen nr. 30 (K) 2025 të Regjistrit Themeltar, datë 21.11.2025, me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, për objektin: “Zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave.” Shfuqizimi i vendimit nr. 118, datë 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që ka disponuar vendosjen e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së zëvendëskryeministrit dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, si një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve, që Kushtetuta ka caktuar si autoritete, që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat në detyrë.”

Shfuqizimi i vendimit nr. 120, datë 22.11.2025 të GJKKO-së për pjesën që ka disponuar vazhdimin e zbatimit të masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së Zëvendëskryeministrit dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, si një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve, që Kushtetuta ka caktuar si autoritete, që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat në detyrë. Pezullimi i efekteve të vendimit deri në përfundimin e gjykimit të kësaj kërkese nga Gjykata Kushtetuese.

Interpretimi i pikës 3 të nenit 103 të Kushtetutës, në kuptimin që “Anëtari i Këshillit të Ministrave, duke gëzuar imunitetin e deputetit, përfiton nga të gjitha garancitë procedurale që i njeh jo vetëm Kushtetuta këtij të fundit, por edhe legjislacioni procedural penal”.

Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi:

  • Me shumicë votash, kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike për shkak të interesit të lartë publik që ka kjo çështje dhe thirrjen në cilësinë e subjekteve të interesuara të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Kuvendit të Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës.

  • Me shumicë votash, pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku, sipas nenit 45 të ligjit organik të Gjykatës. Vendimi i pezullimit do të dërgohet për botim në Fletoren Zyrtare.

Njëzëri, mospranimin e kërkesave të partisë “Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptar” dhe organizatës jofitimprurëse “Lëvizja për Mbrojtjen e të Drejtave Universale” për t’u përfshirë si palë ndërhyrëse. Mbledhja e Gjyqtarëve arriti në përfundimin se këto dy subjekte nuk justifikojnë interesin kushtetues, pasi mosmarrëveshja kushtetuese në shqyrtim ka të bëjë me konflikt kompetencash dhe në të marrin pjesë vetëm subjektet që janë në konflikt, në kuptimin që janë pjesë e organeve që ushtrojnë kompetencën kushtetuese për të cilën ka lindur konflikti.

Njëzëri, në zbatim të nenit 27, pika 3, të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit, në rast se pranohet kërkesa për pezullim, data e seancës plenare caktohet në datën më të afërt të mundshme, duke respektuar afatet procedurale të zbatueshme, caktimin e seancës plenare publike në datën 22.01.2026, ora 10:00.

QENDRIMI I KRYEMINISTRIT

Kryeministri Edi Rama nuk e shkarkoi nga detyra Ballukun pas pezullimit nga GJKKO, por i hoqi të drejtën e firmës ndërsa iu drejtua Kushtetueses. Qeveria kërkoi që të zgjidhej mosmarrëveshja e kompetencave e krijuar mes saj dhe GJKKO-së dhe shfuqizimin e vendimit për pezullimin nga detyra.

Parashikimi kushtetues, sipas të cilit anëtari i qeverisë gëzon imunitetin e deputetit, është pika kryesore mbi të cilën Kryeministri Edi Rama ndërtoi ankimin. Sipas ankimit, për sa kohë nuk mund të vendoset gjyqësisht pezullimi nga detyra i deputetit, kjo nuk mund të ndodhë as për një ministër.

Në ankimim flitet për ndërhyrje të pastër në kompetencat e një tjetër pushteti, siç është ai ekzekutiv dhe se GJKKO ka marrë atribute që nuk ia njeh Kushtetuta. Qeveria nuk e ka ankimuar në Kushtetuese masën tjetër të sigurisë për ndalimin e daljes jashtë shtetit.

APELI I GJKKO

Nga ana tjetër, Miliana Muça do të jetë gjyqtarja në Gjykatën e Posaçme të Apelit, që do të shqyrtojë ankimin e masave të sigurisë të kërkuara nga SPAK dhe caktuara nga GJKKO për zëvendëskryeministren Balluku dhe dy vartësit e saj, drejtorin e KESH Erald Elezi, dhe drejtorin e ARRSH, Gentian Gjyli.

Më 20 nëntor, Gjykata e Posaçme pezulloi nga detyra zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke i ndaluar gjithashtu të drejtën për të dalë jashtë vendit.

Ajo është marrë e pandehur për procedurat në tenderin e tunelit të Llogorasë dhe është nën hetim për tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe. Në të dy rastet, dyshohet se fituesi është paracaktuar.

SPAK ka bërë të ditur se po heton dhe një sërë procedurash të tjera prokurimi. Gjithashtu, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi akuzohen për shkelje të barazisë në tendera për ndërtimin e tunelit të Llogorasë. Elezi është i dyshuar edhe për tenderin e Lotit 4 të Unazës së Madhe.

Hetimet për Belinda Ballukun

Prokuroria sqaron se nga hetimet janë evidentuar shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike, në kuadër të dy procedurave të rëndësishme prokurimi.

Në tenderin për ndërtimin e Tunelit të Llogorasë, pjesë e seksionit rrugor Orikum-Himarë, me fond limit më shumë se 18.9 miliardë lekë pa TVSH, të zhvilluar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë evidentuar veprime të kundraligjshme të pandehurës Belinda Balluku, e cila në cilësinë e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik, prej fazës përgatitore deri në momentin e lidhjes së kontratës me operatorin ekonomik fitues.

“Belinda Balluku, në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të pandehurit Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, kanë paracaktuar fituesin e kësaj procedure prokurimi, duke krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë fitues”, citohet në njoftim.

Po ashtu, shpjegohet se në kohën e kryerjes së veprimeve, i pandehuri Evis Berberi ka mbajtur funksionin si drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar; Erald Elezi ka qenë drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në Autoritetin Rrugor Shqiptar; Gentian Gjyli ka qenë drejtor i Drejtorisë së Ndërtimit dhe Mirëmbajtjes në Autoritetin Rrugor Shqiptar, ndërsa të pandehurat Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica kanë qenë specialistë të nivelit të Lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Tenderi i dytë në të cilin Balluku është gjetur përgjegjëse është ai i Lotit 4 të Unazës së Jashtme Tiranë në vitin 2021, me fond limit 2 miliardë lekë pa TVSH, të zhvilluar nga ARRSH. Sipas SPAK, ka rezultuar se dhe në këtë rast, Balluku ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik të zhvilluar nga ARRSH, institucion në varësi të ministrisë që ajo drejton.

Edhe në këtë rast, Balluku akuzohet se në bashkëpunim me Berberin, tre anëtarët e njësisë së prokurimit, shtetasit J.Ç, A.K. e D.Xh, si dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Erald Elezi, K.K. e M.Sh., kanë paracaktuar fituesin e tenderit duke krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë të shpallur fitues.