Që kur hyri në fuqi kontrata për sterilizimin e pajisjeve mjekësore në qendrat spitalore, për çdo lindje normale në maternitet paguhet një shumë prej 16,680 lekësh, ose 135 eurosh për koncesionarin, kompaninë “SaniServis”.

Zakonisht për lindjet normale nuk ka nevojë për set kirurgjikal, por vetëm për pajisje të thjeshta që sterilizohen me avull, proces ky që kushton gjithsej 319 lekë ose 2.5 euro, sipas çmimeve zyrtare që përdor koncesionari.

Këto të dhëna burojnë nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm i Sigurimit Shëndetësor, që monitoron kontratën koncesionare, të cilat janë raportuar gjatë një auditi të ushtruar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për veprimtarinë e FDSKSH-së në vitin 2018.

Drejtoria e Administrimit të Paketave Shëndetësore dhe Ekzaminimeve Terciare në FSDKSH në vitin 2018 ngriti një grup pune për verifikimin e disa kartelave klinike në spitalin obstetrik gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” për setet e sterilizuara të përdorura sipas kompleksitetit të ndërhyrjes.

Pas kontrolleve u verifikua se për lindjet normale nuk është e nevojshme të përdoren sete të kompleksitetit të ulët që kushtojnë 135 euro, por sete të sterilizimit me avull që kushtojnë vetëm 2,5 euro, pasi numri i instrumenteve kirurgjikale në përbërje të këtyre seteve, i plotësonte nevojat për këto lloj ndërhyrjesh.

E njëjta situatë u verifikua edhe në spitalin obstetrik gjinekologjik “Koço Glozheni”, ku koncesionari paguhej për sete me kompleksitet të ulët për lindje normale, teksa nuk është i nevojshëm një i tillë.

E njëjta praktikë aplikohet edhe në qendrat e tjera spitalore, kur për ndërhyrje elementare dhe sipërfaqësore përdorën sete kirugjikale që kushtojnë 135 euro, në vend të seteve që kushtojnë vetëm 2.5 euro dhe kjo ndodh shpesh në Spitalin e Traumës.

Koncesioni i sterilizimit në spitalet rajonale me 2019 u financua me 14 milionë euro nga rreth 10.5 milionë euro, që ishte planifikuar për këtë vit, bënë të ditur burimet zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, ose 3.5 milionë euro më shumë se planifikimi fillestar, me një rritje prej 25%.

Të njëjtat burime sqaruan se, planifikimi i koncesionit të sterilizimit për vitin 2019 ka qenë në nivelin 1.28 mld lekë, por mbështetur në vlerën e faturuar për periudhën 10-mujore 2019 në 1.4 miliardë lekë, dhe në pritshmërinë se ky shërbim, deri në fund të vitit do të shkojë në nivelin 1.71 mld lekë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale njoftoi se ka rishikuar buxhetin për të financuar këtë shërbim, me qëllim moslejimin e detyrimeve të prapambetura.

Planifikimi për këtë shërbim në vitin 2020 është në nivelin faktik të 2019, 1.71 mld lekë, pohuan të njëjtat burime.

Financimi shtesë për koncesionin e sterilizimit për dy vite 2018-2019, ka kaluar shumën e 6 milionë eurove, 3.5 milionë euro këtë vit dhe mbi 3 milionë euro në 2018-n.

PPP-ja e sterilizimit u firmos në fund të vitit 2015 midis kompanisë “SaniService” dhe Ministrisë së Shëndetësisë, si përfituese e shërbimit, përfaqësuar nga ministri Ilir Beqja dhe FSDKSH, ku janë përcaktuar kushtet paraprake, objekti i kontratës, çmimet dhe rishikimi i çmimeve.

Kontrata nisi të zbatohet më 2016. Monitorimi i saj bëhet nga Drejtoria e Administrimit të Paketave dhe Ekzaminimeve Terciale (DAPSHET) në QSUT, raporton Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Nga auditimi i këtij shërbimi u konstatua se, nuk ka një përcaktim të detajuar për përdorimin e kompleksiteteve për çdo lloj operacioni, numrin e pajisjeve të kompleksiteteve për çdo ndërhyrje dhe nuk ka një përcaktim të qartë të përdorimit të seteve të sterilizimit me avull në shërbimet spitalore universitare dhe në spitalet rajonale.

Çmimet zyrtare për sterilizimin sipas kompleksitetit / (Monitor)