
SPAK ka intensifikuar hetimet për dyshimet mbi abuzime me procedurat e prokurimit në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Burime bëjnë me dije se gjatë dy javëve të fundit, dhjetëra punonjës të institucionit, si dhe zyrtarë të deleguar pranë disa ministrive, janë paraqitur në Prokurorinë e Posaçme për t’u marrë në pyetje dhe për të dhënë sqarime.
Sipas informacioneve, disa tendera të zhvilluar nga AKSHI dyshohet se janë kryer në kundërshtim me procedurat ligjore, duke u bërë pjesë e një procedimi penal që po hetohet nga prokurori i posaçëm, Bledar Maksuti.
Në kuadër të hetimeve, SPAK ka marrë në pyetje edhe drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, si dhe biznesmenin Ermal Beqiraj, të cilët dyshohet se kanë dijeni mbi procedurat e prokurimit që janë nën verifikim.
Hetimet vijojnë me qëllim zbardhjen e plotë të skemës së dyshuar të shkeljeve dhe identifikimin e personave përgjegjës.
