Kryeministri i Bosnje & Hercegovinës, Fadil Novalliç, është dënuar me 4 vite burg për shkak se abuzoi me paranë publike në rastin e blerjes së respiratorëve kinezë gjatë pandemisë së Covid-19.

Vendimi është dhënë ditën e sotme në Gjykatën e Shkallës së Parë, teksa të përfshirë në këtë aferë janë edhe kreu i Mbrojtjes Civile të Federatës së Bosnje e Hercegovinës, Fahrudin Sollak, dhe pronari i kompanisë bujqësore, “Srebrena Malina”, Fikret Hoxhiç.

Sollak është dënuar me 4 vite burg, ndërsa Hoxhiç me 5. Novalliç nuk u paraqit në seancën e dhënies së dënimit. Ai akuzohet se ka ngritur një plan për të përdorur para nga Buxheti i Shtetit në vitin 2020 për blerjen e mjeteve dhe pajisjeve për të luftuar koronavirusin.

Së bashku me Sollakun dhe Hoxhiçin, ata kanë ndërtuar një skemë për të siguruar përfitime financiare, të cilat më pas do t’i ndanin me njëri-tjetrin. Ministrja e Financave, Jellka Miliceviç, është liruar nga akuza se nuk i ka penguar ata që ta bëjnë një gjë të tillë.

Gjyqi për blerjen e 100 respiratorëve në Kinë, me vlerë totale prej 5.4 milionë eurosh ka nisur më 23 shkurt 2021. Pajisjet mjekësore janë blerë në prill të vitit 2020, fill pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të pandemisë së Covid-19.

Prokuroria ka arritur të vërtetojë se këto blerje janë kryer pa tender dhe me marrëveshje të drejtpërdrejtë me kompaninë private “F.H. Srebrena Malina”, e cila merret me tregti të pemëve dhe perimeve. Shpresojmë që ky dënim të jetë një shembull edhe për gjykatat shqiptare, që deri më tani nuk kanë arritur të japin të tilla ndaj zyrtarëve të lartë.

Burimi: JOQ

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re