Adriatik Kungulli, hidraulik me mbi 37 vite punë,  është baba i katër fëmijeve, të cilët e adhurojnë shkollën por janë përballur për vite me rradhë, me varfërinë ekstreme.
Për 37 vjet Adriatiku, ishte ndër më të mirët në profesionin e tij.

Por befas një ditë e pa veten të papunë. Deri para tre muajsh familja e tij përballej çdo ditë me sfidat e urisë dhe mungesave të pafund. Banesa e tij, një hyrje e ngushtë 48 metra katror, një dhomë e një kuzhinë, edhe sot nuk ka energji elektrike. Pjesëtarët e familjes Kungulli jetojnë në terr, pasi ata  nuk kanë mundësi të shlyejnë faturat e papaguara prej vitesh të energjisë elektrike.

Por një rreze dritë është ndezur tashmë në vatrën e  tyre.

Fëmijët e Adriatikut e duan shumë shkollën, madje djali i tij i madh ka fituar bursë nga Fondacioni Soros e tashmë kryen studimet e masterit për  drejtësi në Francë, ndërsa vajza  vijon shkollën e mesme. Ata janë shpresa, buzeqeshja dhe shtysa që e mban në këmbë këtë burrë.

Veç kësaj pas 17 vitesh i papunë dhe me ankthin e mungesës së ushqimit të përditshëm e të çdo nevoje tjetër jetike, Adriatiku tashmë, prej tre muajsh ka një punë të sigurt në profesionin e tij.

E takojmë një paradite me diell në oborrin e shkollës “Ngjeçari” në Berat, ku ai është punësuar falë një projekti për “Fuqizimin Ekonomik dhe Social të Romëve dhe Egjiptianëve”, një projekt ndërsektorial dhe shumëpartnerësh i financuar me fondet e BE dhe zbatuar nga UNDP.

Adriatiku, është i emoconuar por nuk e fsheh krenarinë për rrugët që ju janë hapur fëmijëve të tij, të cilët pas shumë vitesh mjerimi dhe urie tashmë po e sigurojnë të ardhmen e tyre.

Ai thotë se me profesionin e hidraulikut ka jetuar mirë për 37 vjet, që nga koha e shkollimit në 1975 e deri në vitin 2000, ndërsa punonte në këtë profesion në ndërmarrjen e elektro-ujësjellsit në Berat. Por në vitin 2000 ai thotë se e hoqën befas nga puna për shkak të bindjeve të tij politike.

“Unë jam i brumosur, kam bindjet e mia politike dhe nuk i ndërroj. A është e drejtë të më heqësh nga puna, të më rrezikosh jetën e fëmijëve, ushqimin dhe strehimin e tyre për bindjet e mia politike? Ne jemi 6 pjesëtarë në familje, ku punoja vetëm unë. Për plot 17 vjet kam qenë i pa punë. Kam bërë një jetë tmerrësisht të vështirë…” thotë Adriatiku gati në ngashërim.

Ndërsa e pyes se si ka jetuar gjithë këto vite si i papunë, ai gati i revoltuar  thotë: “në mjerim kemi jetuar, të uritur, të paveshur… edhe sot në shtëpinë time nuk ka energji elektrike. Jetojmë në terr, nuk kam mundur ende t’i paguaj faturat e grumbulluara… Por të paktën tani po ushqehemi dhe ju jam shumë mirënjohës stafit të këtij projekti dhe shkollës që më punësoi në profesionin tim”.

Me historinë e Adriatikut u njohëm gjatë një vizite të një grupi gazetarësh në Durrës e Berat, ku po zbatohet projekti “Fuqizimi Ekonomik dhe Social i Romëve dhe Egjiptianëve – shtysë për përfshirjen sociale” (FESRE), një projekt ndërsektorial dhe shumëpartnerësh i financuar me fondet e BE.  Projekti FESRE mbështet integrimin e romëve dhe egjiptianëve në tregun e punës dhe rritjen e aftësive bazë dhe atyre për jetën, duke synuar aktivizimin e potencialit prodhues të të dy komuniteteve.

Ky projekt në bashkëpunim me Shërbimin Kombëtar të Punësimit dhe drejtoritë rajonale ka identifikuar dhe regjistruar më shumë se 700 individë të papunë romë dhe egjiptianë, të cilët janë të gatshëm të fillojnë punë. Gjatë kësaj vizite në Durrës e Berat, bëhet e ditur se janë 229 persona romë dhe egjiptianë në Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Berat që janë punësuar deri më tani me asistencën e projektit.

Adriatik Kungulli, hidrauliku 58 vjeçar është vetëm njëri prej përfituesve të këtij projekti. Gjatë vizitës tone, mësuam edhe për historinë e katër të punësuarve në mobilerinë “Korça” në Durrës,  dy të punësuar të tjerë në  kompaninë e përpunimit të mermerit “Qato” në Berat, dhe 2 të punësuar të tjerë  në shkollën private “Ngjeçari” po në Berat.

Po ashtu pjesë e programit FESRE ishin edhe disa projekte për qendrat komunitare dhe infrastrukturën në zonat e banuara nga komuniteti rom dhe egjiptian.

Me mjaft efikasitet funksiononte Qendra komunitare  e Nishtullës në Durrës, një model inovativ pilot i shërbimeve të integruara me bazë në komunitet, falë së cilës reth 421 familje në total tashmë kanë akses më të mirë në shërbimet sociale si psh. kartat e shëndetit, pagesat e invaliditetit, ndihma ekonomike , banesat sociale, regjistrime etj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re