Ish- prokuri i Përgjithshëm Adriatik Llalla është një prej tre zyrtarëve të lartë shqiptarë, të cilëve sekretari amerikan i Shtetit, publikisht i ka komunikuar vendimin për mos të shkelur më kurrë, në tokën amerikane.

Sekretari amerikan i Shtetit mori këtë vendim drastik për ish- kryeprokurorin më 14 shkurt 2018.

Ndryshe nga Tom Doshi dhe Vangjush Dako që nuk janë shprehur asnjëherë për këtë vendim ekstrem, ish-kryeprokurori Adriatik Llalla nuk është pajtuar me këtë qëndrim amerikan ndaj tij dhe familjes.

Rreth një vit më pas, zoti Llalla nis përpjekjet për të dalë nga lista e zezë amerikane.

Ky dokument tregon angazhimin e një kompanie lobuese në New York e quajtur Sher Tremonte e cila ka lidhur një kontratë me ish prokurorin më 15 shkurt 2019 e si objet pune ka, “anulimin” e vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit për t’i ndaluar atij dhe familjes hyrjen në SHBA.

Për këtë aktivitet lobues në kontratë sanksionohet se është paguar shuma e 5.000 dollarëve.

Ndërkohë që aktiviteti lobues në SHBA është legjitim nëse ndodh brenda kornizës ligjore amerikane të përcaktuar, në rastin e zotit Llalla interesant është fakti se kush i pagoi këto 5.000 dollarë.

Në kontratën mes kompanisë lobuese Sher Tremonte dhe zotit Llalla shuma e 5.000 dollarëve nuk është paguar prej tij por prej një kompanie ndërtimi e quajtur  “Lita Brothers Construction, LLC” me qendër në New York.

Sipas të dhënave nga regjistri kompanive të biznesit në SHBA rezulton se pronar i kësaj kompanie është shtetasi shqiptaro-amerikan Bedri Lita.

Zoti Bedri Lita është vëllai deputetit demokrat Korab Lita. Mbetet e paqartë përse  Bedri Lita paguesi shumës së 5.000 dollarësh u përfshi në këtë operacion lobimi në favor të Adriatik Llallës.

Për këtë çështje Top Channel pyeti deputetin Korab Lita se cfarë komenti kishte ai për përfshirjen e të vëllait në këtë histori lobimi.

Korab Lita deklaroi:

“Nga informacionet që kam, bëhet fjalë për një ngjarje përpara se unë të hyja në parlament. Prej 30 vitesh vëllai im jeton në SHBA dhe është shtetas amerikan.

Veprimtaritë dhe jetët tona janë të ndara prej 30 vitesh.  Secili nga ne ka jetë të pavarura nga njëri tjetri”.

Muhamed Veliu

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re