Të gjithë bizneset e mëdha që duan të marrin kredi në banka me garanci shtetërore kanë afat deri më 30 qershor të këtij viti për të aplikuar.

 

Ministria e financave miratoi kërkesën e shoqatës së bankave për ta shtyrë periudhën e vlefshme, me 6 muaj. Kjo shtyrje sipas ministrisë do ti vijë në ndihmë sipërmarrjes për të rimëkëmbur aktivitetin e tyre ekonomik.

 

Ministria argumenton se nevoja e kompanive për të përfituar nga kjo skemë është e lartë dhe se shumë aplikime janë në proces vlerësimi nga bankat e nivelit të dytë.

 

Deri në fund të vitit 2020, 308 biznese kanë qenë përfitues të skemës me një vlerë kredie prej  9 miliard lekë. Kjo skemë mbulon 60%  vlerës së kredisë, ndërsa  pjesën tjetër duhet ta garantojë vetë subjekti.

 

E thënë ndryshe deri më tani nga garancia sovrane 2 është përdorur vetëm 30 % e vlerës, pra 5 miliard lekë nga 15 që është totali. Komiteti I sipërmarrjes është ankuar se kjo skemë nuk është efektive pasi normat e interesit nuk janë favorizuese nga bankat e nivelit të dytë. Nga ana tjetër shumë kompani që janë në vështirësi financiare vështirë se mund të përfitojnë nga kjo skemë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re