Dy prej “të fortëve” të Shkodrës, për të cilët Njësia e Operacionit Forca e Ligjit firmosi paraditen e sotme formularin për deklarim pasurie brenda afatit 48 orësh nuk kanë pritur gjatë. Me shpejtësi, ata kanë kthyer përgjigje negative ndaj OFL.

Ibrahim Lici refuzon kërkesën e OFL-së për vetëdeklarim të pasurisë. Ka qenë babai i tij Mustafa Lici që në emër të djalit të tij i ka kthyer përgjigje policisë së shtetit duke deklaruar se i biri nuk është subjekt i ligjit.

“Është i pa dënuar nga asnjë gjykatë vendase apo e huaj, nuk ka asnjë masë sigurie nga ndonjë gjykatë për ndonjë vepër penale dhe nuk është person në hetim nga prokuroria për asnjë vepër apo çështje penale” – pohon Lici, përmes avokatit të familjes.

Operacioni Forca e Ligjit u dha sot 48 orë kohë për të justifikuar pasuritë katër “të fortëve” të Shkodrës, përkatësisht Muhamed dhe Ibrahim Licit, djemtë e Mustafa Licit, ish-anëtar i Këshillit Bashkiak në Shkodër, si edhe dy vëllezërit Bledar dhe Gëzim Cafi.

Të katër këta persona njihen si pjesëtarë të grupeve të ndryshme kriminale që veprojnë në qytetin e Shkodrës. Ibrahim Lici së bashku me vëllain e tij, Muhamed Lici ranë në pranga të policisë në mars të 2017 me akuzën se drejtonin një grup kriminal që u vendosnin gjoba tregtarëve të ndryshëm në qytetin e Shkodrës.

Ndërsa Muhamet Lici po vuan ende dënimin për këto akuza, gjykata ka liruar të vëllain Ibrahimin. Mirëpo emri i këtij të fundit do të lakohej sërish në 2019, pasi dyshohet të ketë marrë pjesë në vrasjen e dy vëllezërve Astrit dhe Ibrahim Bilali një vit më parë në Shkodër. Ai është shpallur në kërkim që prej 30 marsit të vitit 2019.

Astrit Bilali është babai i Astmer Bilalit, i arrestuar si pjesë e grupit “Bajri” që vepron në këtë qytet. Ndërsa Bledar e Gëzim Cafi akuzohen si të përfshirë në disa ngjarje kriminale, në qytetin verior. Bledar Cafi i njohur edhe si “i forti” i Shkodrës është akuzuar për vrasjen e Shyqyri Mustafajt në vitin 2001.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re