“Shërbimet inteligjente amerikane kanë paralajmëruar aleatët e NATO-s, më urgjentisht se kurrë, për një sulm eminent të Rusisë në Ukrainë.

Kështu e nis shkrimin media e njohur gjermane “Der Spiegel”, e cila shkruan se lufta mund të nisë javën e ardhshme, madje duke bërë të ditur edhe ditën se kur.

“Spiegel” i referohet disa informatave të marra, dalë nga CIA e shërbimet e ushtrisë amerikane, të cilat kanë vënë në dijeni shtetet e NATO-s të premten. Këto informata sekrete thonë se sulmi rus në Ukrainë mund të nisë që të mërkurën e javës së ardhshme.

“Sipas informatave të Spiegel, shërbimet inteligjente e ushtria amerikane, informuan qeverinë gjermane dhe të tjerë aleatë të NATO-s gjatë të premtes, se në bazë të të dhënave të reja, sulmi rus mund të zhvillohet që të mërkurën e javës së ardhshme.

Sipas disa diplomatëve e zyrtarëve ushtarakë, SHBA-të sollën shumë detaje gjatë një mbledhje sekrete. Si përshembull, u përshkruan rrugët specifike të pushtimit rus, e po ashtu edhe njësitë individuale ruse dhe detyrat e tyre. 16 shkurti u përmend si data e mundshme e nisjes së pushtimit”-shkruan “Spigel”.

Përtej këtyre detajeve, Spiegel shkruan se ka disa mendime nga persona të ‘brendshëm’, që besojnë se mund të kemi të bëjmë edhe me përhapjen e një informacioni (nga SHBA), me qëllim “shfryrjen” e ndonjë plani rus për një sulm.

Kujtojmë se një sërë shtetesh anëtare të NATO-s u kanë bërë thirrje këtë shtunë qytetarëve të tyre, që të mos udhëtojnë në Ukrainë, ose nëse ndodhen atje, të largohen sa më parë. Një njoftim i tillë u dha sot edhe nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë.

Këshilltari për Sigurinë Kombëtare të SHBA-ve Xhejk Sallivan (Jake Sullivan) u shpreh së fundmi se forcat ruse “janë në një pozicion që i lejon të bëjë një sulm”. Përtej kësaj, ai theksoi se SHBA nuk e di nëse vendimi është marrë (për pushtimin), por sipas të dhënave të grumbulluara, shqetësimi është i justifikuar.

Këtë të shtunë, pritet që Presidenti i SHBA-ve Biden dhe ai i Rusisë, Putin, të zhvillojnë një bisedë telefonike. Putin kërkoi që telefonata të zhvillohej të hënën, tregoi një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, por ka qenë Presidenti i SHBA-ve i cili ka insistuar që biseda të zhvillohet sa më parë, pas të dhënave se Rusia po përgatitet për një pushtim të mundshëm të Ukrainës.

Pavarësisht këtyre të dhënave, Rusia përherë e ka mohuar idenë e një pushtimi të Ukrainës, edhe pse në kufi janë vendosur qindra mijëra forcat ruse.

Të hënën ndërkohë, është parashikuar që kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz, të kryejë një vizitë në Ukrainë, ndërsa të martën (për herë të parë), Scholz do të zhvillojë takim me Presidentin rus Putin.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re