
Dalin detaje të reja nga hetimi i nisur nga SPAK për aferën e kompanisë “Bankers Petroleum”, një ndër dosjet më të nxehta të momentit që po trajtohet si çështje e organizuar kriminale në bashkëpunim me zyrtarë të lartë të shtetit.
E ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, gazetarja Lala tha se në dosjen e referuar nga Prokuroria e Fierit për SPAK përmenden emrat e një ish-ministri të qeverive “Rama 1” dhe “Rama 2”, si dhe një deputeti aktual i Partisë Socialiste, të cilët dyshohet se kanë pasur rol aktiv në zhvillimin e aferës.“Në dosjen e prokurorisë së Fierit rezulton një ish-ministër i kohës së Ramës dhe një deputet aktual i Kuvendit që janë referuar si të përfshirë në disa vepra penale në lidhje me Bankers Petroleum”, u shpreh Lala.
Gazetarja theksoi se hetimi po zgjerohet edhe në drejtim të drejtësisë dhe administratës tatimore:
-
Pesë gjyqtarë dhe prokurorë që kanë trajtuar çështje të kompanisë “Bankers” janë gjithashtu nën hetim, pasi dyshohet se kanë marrë vendime të njëanshme për arsye korruptive;
-
Zyrtarë të administratës tatimore po verifikohen për shmangien e detyrimeve fiskale dhe mundësimin e raportimeve me humbje nga kompania.
Sipas Lalas, SPAK ka nisur një seri përgjimesh dhe pritet që lista e personave nën hetim të zgjerohet ndjeshëm. Ajo shtoi se ende nuk janë thirrur personat kryesorë të dyshuar, por hetimet janë në fazë intensive dhe priten masa të reja sigurie.“Gama e personave që po hetohen është shumë e madhe. SPAK po sheh nëse do të ndjekë të njëjtën linjë si Prokuroria e Fierit ndaj zyrtarëve të lartë”, përfundoi gazetarja.
Afera “Bankers” pritet të bëhet një nga çështjet më të bujshme politike dhe gjyqësore të viteve të fundit, për shkak të përmasave të saj dhe personave të përfshirë.



