Skip to content

Afera e incenceratorëve/ Koka e Bllako përfitojnë gjykim të shkurtuar

Subscribe

Për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, dhe ish-vartësin e tij, Alqi Bllako, të pandehur për inceneratorin e Elbasanit, Gjykata e Posaçme pranoi gjykimin e shkurtuar. Ky vendim u mor këtë të premte nga togat e zeza në një seancë, që zgjati 3 orë e ku u parashtruan kërkesat e palës mbrojtëse nga avokatët e 12 të pandehurve për djegësin e Elbasanit.

 

Krahas kërkesës për gjykim të shkurtuar mbrojtësi ligjor i Lefter Kokes i kërkoi Gjykatës së Posaçme bashkimin e dosjes me inceneratorin e Fierit me argumentin se është konsumuar e njëjta vepër penale me të njëjtët të pandehur. Por kjo kërkesë u rrëzua nga gjykata, e cila arsyetoi se vetëm 6 prej të akuzuarave janë në të dyja proceset gjyqësore, në një kohë kur provat dhe shkaqet janë të ndryshme. Një kërkesë për shkrirjen e dosjeve në një të vetme e bëri edhe Klodian Zoto përmes avokatit të tij.

 

Gjithashtu u vendos veçimi i Etleva Kondit nga procesi gjyqësor, një nga anëtaret e prokurimit të koncesionit, pasi kjo e fundit ka kërkuar gjykim të zakonshëm.

Organi i akuzës, i përfaqësuar nga ish-kreu i SPAK, Arben Kraja dhe prokurori Klodian Braho sqaroi rolet e Lefter Kokës dhe Alqi Bllakos në skemën fiktive. Prokurorët thanë se ata kanë qenë në dijeni të shkeljeve dhe kanë dhënë pëlqimin e tyre. Sipas SPAK ish-ministri i Mjedisit dhe ish-sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie, mbajtën kontakte të vazhdueshme me Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja. Pritet që në datën 18 maj të jepet pretenca për të 11 personat e marrë të pandehur.