Skip to content

“Afera e Tigrave” – “Rreth 100 mln euro për TEC-et lundruese”, Bozdo: SPAK të sekuestrojë dosjet dhe të ndalojë tenderin e ri 20 mln euro

bozdoo

Nënkryetari i Komisionit të Ekonomisë, Eno Bozdo, i ka kerkuar SPAK te veproje menjehere për aferën e TEC-eve lundruese, të njohura si “Tigri 1 dhe 3”. Bozdo, denoncoi faktin që ERE ka pezulluar procedurën për rilicencimin e dy TEC-eve por pavarësisht kësaj KESH ka hapur një tender të ri rreth 20 milionë euro për operimin dhe mirëmbajtjen e tyre për dy vitet e ardhshme, edhe pse ato nuk kanë punuar asnjë ditë.

“Çfarë prove tjetër pret SPAK-u për të vepruar?”, deklaroi Bozdo, duke kërkuar sekuestrimin e menjëhershëm të të gjithë praktikës shkresore, anulimin e tenderit të ri dhe publikimin e plotë të kontratave të qirasë, të cilat, sipas tij, janë mbajtur të fshehta nën justifikimin e “sekretit tregtar”, tha Bozdo.

Deklarata e plotë:

Përshendetje

Sot dal përpara jush për të ridenoncuar, nën dritën e fakteve të reja të ndodhura këto ditë, një ndër aferat më të rënda dhe me të mëdha të korrupsionit të ndodhura nën qeverisjen e Partisë Socialiste: afera e TEC-eve Lundrues, Tigri 1 dhe 3!
Vetëm pak ditë më parë, më 3 shtator 2026, Bordi i Entit Rregullator të Energjisë (ERE) refuzoi t’i rilicenconte dy TEC-et duke pezulluar procedurën! Këto TEC kane operuar me sa duke, pa leje te vlefshme mjedisore. Zullumi eshte kaq i madh saqë as ERRE nuk mund të mbyllë sytë. Në të vërtetë, shoqata dhe aktivistë mjedisorë si dhe opozita, kanë ngritur shqetësimin e madh mbi faktin se këto anije TEC ishin jashtë cdo standardi mjedisor dhe ato KESH i ndizte vetëm natën që Vlora të mos shikote blozën që prodhonin!
Sa i ka kushtuar deri me sot, kjo aferë shqiptarëve?
• Mbi 65 milionë dollarë janë paguar vetëm për qira dhe mirëmbajtje. Mbi 44 milionë dollarë qira dhe mbi 21 milionë dollarë mirëmbajtje. Mbi 65 milionë dollarë të taksave tona kanë shkuar në xhepat e kompanive private thjesht dhe vetëm që dy anije të qëndrojnë të ankoruara!
• Dhe çfarë morën shqiptarët në këmbim? Për një kapacitet të pretenduar prej 110 MW, përgjatë dy viteve të fundit janë prodhuar gjithsej vetëm rreth 109 mijë Mwh. Mesatarisht diku tek 2 ditë konsum vjetor. Pra, anijet kanë ndenjur të fikura, por paratë e qirasë kanë vazhduar të rrjedhin lumë.
• Sa na kushtoi kjo energji? Plot 163 euro për Mwh! Kjo është shifra zyrtare e KESH-it. Ju siguroj se shifra reale, sic do ta argumentoj me poshtë, është shumë më e lartë se kaq. Gjithsesi, për të prodhuar këtë sasi minimale energjie janë djegur mbi 25 mijë tonë karburant të rëndë (HFO) me një kosto karburanti mbi 18 milionë dollarësh. Kjo do të thotë se çdo megavat i prodhuar nga këto anije ka kushtuar dyfishin ose trefishin e çmimit me të cilin mund të blihej energjia në tregjet ndërkombëtare.
Pra, përvec 65 milionë dollarëve të shpenzuar, janë shtesë edhe rreth 18 milionë dollar të tjerë, fakt ky që e rrit koston e dy anijeve-fantazëm në 83 milionë dollarë!

Por korrupsioni dhe makutëria nuk paskan fund: Këtë vit, KESH hapi procedurën për depozitimin dhe ngarkim-shkarkimin e lëndës djegëse me një vlerë prej rreth 5.3 milionë eurosh. Dhe si u bë kjo procedurë? Me negocim pa njoftim paraprak! Pa garë! Ligji i prokurimit e lejon këtë procedurë vetëm për raste emergjence ekstreme e të paparashikueshme.
Pyes sot publikisht KESH dhe ministrin e linjës: Çfarë urgjence të paparashikueshme kishte këtu, kur anijet ndodhen aty që prej vitit 2022? Asnjë! Dhe rezultati? Morri pjesë vetëm një kompani, La Petrolifera Italo Albanese, dhe u shpall fituese me 99.95% të fondit limit. Diferenca midis fondit limit dhe çmimit të fituar ishte qesharake, vetëm 260 mijë lekë! Kjo nuk është garë, ky është pazar i mbyllur në tavolinë.
Dhe nuk mbaron këtu: Ndërsa ERE bllokon Tigrat, KESH ka hapur një tjetër tender prej rreth 20 milionë eurosh për operim dhe mirëmbajtje të Tigrave për dy vitet e ardhshme.
Pra, fatura totale po shkon rreth 100 milionë euro!

Kjo është kosto e tmerrshme që i paguajmë cdo dite korrupsionit të kësaj qeverie, babëzisë së saj, makutërisë së saj!

Denoncimeve të opozitës mbi këtë aferë megakorruptive, në dritë të diellit, prokuroria e posatshme SPAK, i është përgjigjur deri tani me heshtje dhe mosveprim. Faktet janë aty të depozituara, provat janë në mes të sheshit. Blerja e TEC-eve është realizuar kundër interesit publik dhe interesit të sektorit të energjisë elektrike. Kostot janë shumë të mëdha, të papërballueshme.

Nga ana tjetër, drejtuesja aktuale e KESH, shpërdoron detyrën duke refuzuar të bëjë publike kontratat e qirasë së këtyre objekteve, nën pretekstin e sekretit tregtar! Sepse cdo kërkese të deputetëve të Partisë Demokratike për trasparencë te kontratave, refuzohet duke u justifikuar me sekretin tregtar!

Për këtë aferë, me kaq shumë denoncime nga opozita dhe nga shoqëria civile, ka vetëm një zgjidhje: përgjegjësit përpara ligjit. Për këtë SPAK duhet të veprojë menjëherë, sepse faktet janë sheshit:
• Kemi rreth 100 milionë euro në këmbim të asgjëje;
• Kemi procedura pa garë me 99.9% të fondit limit;
• Kemi shkelje flagrante të rregullave mjedisore deri në pezullim licence;
• Kemi dëm financiar marramendës të drejtpërdrejtë ndaj korporatës publike dhe xhepave të shqiptarëve.

Çfarë prove tjetër pret SPAK-u për të vepruar? A duhet të presë që paratë të avullojnë plotësisht dhe kontratat të skadojnë? Heshtja e SPAK-ut përballë kësaj afere po kthehet në një amnisti të pafalshme për nivelet më të larta politike të kësaj qeverie. Kur vidhen shqiptarët në dritë të diellit dhe dosjet flenë në sirtarët e prokurorëve, kjo nuk është më drejtësi, por padrejtësi!
• Ne kërkojmë SPAK-ut të zgjohet nga letargjia dhe të sekuestrojë menjëherë të gjithë praktikën shkresore, nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e deri te KESH-i.
• Kërkojmë anulimin e menjëhershëm të tenderit të ri prej 20 milionë eurosh për dy anije që as nuk lejohen të punojnë ligjërisht.
• Dhe kërkojmë publikimin e plotë e të menjëhershëm të çdo kontrate të fshehur pas termit mashtrues të “sekretit tregtar”.
Paratë e shqiptarëve nuk janë pronë e askujt. Çdo zyrtar, nga më i thjeshti deri te ministrja dhe kryeministri që ideuan këtë skemë grabitqare, herët a vonë do të japë llogari para ligjit.

Ju faleminderit!