Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka lëshuar 15 urdhërarreste në kuadër të hetimeve për aferën me inceneratorin e Tiranës.

Mësohet se dy prej emrave ndaj të cilëve SPAK ka lëshuar urdhërarreste janë biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.

Kujtojmë se SPAK në fillim të muajit gusht ka vendosur nën sekuestro preventive inceneratorin Tiranës dhe kompanisë “Integrated Energy”.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, ka rezultuar se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët “de facto” të shoqërisë “Integrated Energy”, me kosto të investimit të parashikuar në kontratën koncesionare në vlerën mbi 128 milion euro.

Gjithashtu, dy biznesmenët rezultojnë pronarët “de facto” të shoqërisë mëmë të saj, të themeluar në Hollandë, “Integrated Energy B.V”, ndryshuar më pas me emrin “Geogenix B.V”.

“Nga provat e marra gjatë hetimit ka rezultuar se, shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët si pronarët e vërtetë të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k”, thuhej në njoftimin e SPAK.

Sipas Prokurorisë, Klodian Zoto, në bashkëpunim me Mirel Mërtiri, kanë përfituar në sajë të faturave tatimore të falsifikuara, vlerën monetare 409,428,000 (katërqind e nëntë milion e katërqind e njëzet e tetë mijë) lekë.

Klodian Zoto, raportohet se është paraqitur dhe ka deklaruar fatura të falsifikuara për punime të kryera nëpërmjet shoqërisë tjetër të tij “Integrated Energy Services”, si nënkontraktor i shoqërisë koncesionare “Integrated Energy”.

Po ashtu, është evidentuar fakti se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri zotërojnë në mënyrë indirekte shoqërinë “F.M.O.” sh.p.k. Të treja kët kompani në zotërim të dy biznesmenëve janë sekuestruar nga SPAK.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re