Afganistani shënoi në vitin 2018 më shumë civilë të vrarë se në të kaluarën, sipas një raporti të lëshuar të dielën nga Kombet e Bashkuara.

Numri i civilëve të vrarë në krahasim me vitin 2017 është rritur me 11 përqind, me gjithsej 3.804, duke përfshirë 927 fëmijë.

Raporti u lëshua në prag të një raundi të ri bisedimesh ndërmjet zyrtarëve amerikanë dhe talibanë, të cilët synojnë përfundimin e luftimeve. Këto negociata janë një shpresë për paqen, por edhe një frikë se tërheqja e SHBA nga Afganistani mund të çojë në një luftë civile edhe më të përgjakshme.

Bisedimet në Doha vijnë pas një përshkallëzimi të vazhdueshëm të dhunës në Afganistan.

Sipas OKB-së, në dekadën e fundit, 32,000 civilë u vranë në Afganistan dhe 60,000 të tjerë u plagosën.

Grupet e armatosura kundër qeverisë akuzohen për 63 për qind të viktimave.

“Është koha për t’i dhënë fund kësaj vuajtjeje njerëzore dhe tragjedisë. Mënyra më e mirë për të ndaluar vrasjet e civilëve është ndalimi i luftimeve”, tha Tadamichi Yamamoto, kreu i misionit të OKB-së në Afganistan.

Rritja e viktimave civile është nxitur nga sulmet ajrore në rritje nga amerikanët dhe forcat afgane, pasi më shumë se 500 njerëz janë vrarë në operacionet ajrore.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re