Tërmeti vdekjeprurës ka marrë mbi 920 jetë njerëzish dhe ka plagosur 610 të tjerë në lindje të Afganistanit, sipas njoftimit zyrtar.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, Bakhtar, zëvendësministër i shtetit për Menaxhimin e Fatkeqësive, Maulvi Sharafuddin Muslim, ka konfirmuar në një konferencë për shtyp në Kabul se deri më tani 920 njerëz kanë humbur jetën dhe mbi 610 janë plagosur nga tërmeti.

“Të paktën 218 njerëz janë vrarë dhe mbi 300 janë plagosur nga tërmeti vetëm në qarkun Giani të Paktikës. Deri më tani, numri i martirëve në Paktika ka arritur në 381”, shkroi në Twitter Abdul Wahid Rayan, një zyrtar taleban dhe drejtor i përgjithshëm i agjencisë shtetërore të lajmeve Bakhtar.

Lëkundjet tronditën provincat kufitare lindore të Khost dhe Paktika mbrëmë, duke shkaktuar shkatërrime të mëdha.

Zyrtarët afganë thanë se numri i të vdekurve mund të rritet pasi dhjetëra njerëz janë në gjendje kritike.

“Kam raporte tragjike nga provinca ime e lindjes Paktika, ku qindra njerëz kanë humbur jetën dhe plagosur në tërmetin shkatërrues. Shtëpitë janë shembur dhe njerëzit janë nën rrënoja”, tha Khalid Zadran, zëdhënësi i policisë në kryeqytetin Kabul në një postim në Twitter.

“Ekipet e shpëtimit nga Kabuli kanë arritur në zonë dhe aktivitetet e shpëtimit janë duke u zhvilluar. Të gjitha organizatat e ndihmës duhet të drejtojnë ndihmën e tyre në Paktika”, shtoi ai.

Zyrtarët talebanë kanë kërkuar gjithashtu ndihmë të menjëhershme në zonat e goditura nga tërmeti.

Videot dhe fotot që qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë shtëpi të rrafshuara me tokë nga tërmeti shkatërrues i natës së kaluar.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re